qer72016
Silybum marianum (gjemb gomari), nga miti kristian në mjekësinë moderne
Tregohet se Shën Mëria rrugës drejt Egjiptit ndaloi për të ushqyer me gji Jezusin foshnjë. Ajo u ul pranë një luleje të madhe gjembaçe dhe një pikë qumësht i ra nga gjiri e njomi një gjethe. Nga ai moment ajo bimë u bë e bekuar dhe u quajt "gjembi i Marias". Fakti është se për shekuj Silybum marianum apo gjemb gomari siç quhet në gjuhën popullore, u përdor për të përmirësuar fluksin e qumështit te nënat që ushqenin me gji. Gjithashtu ka gjetur përdorim si antidot për helmin e gjarpërinjve dhe si kurë për "melankolinë" (Gerard, 1597). Andrea Mattioli në shek XVI e këshillonte përdorimin e gjemb gomarit për mëlçinë. Në fakt sipas dëshmive moderne shkencore, mëlçia duket se është organi kryesor i cili ka përfitimet më të mëdha nga gjemb gomari.
Periudha e mbledhjes së kësaj luleje është vera e vonë, ndërsa përbërësit aktivë janë një grup flavoliganesh të quajtur në kompleksitetin e tyre silimarina. Këto ushtrojnë aktivitet mbrojtës të mëlçisë përballë agjentëve të shumtë toksikë (si alkooli, kërpudhat helmuese) dhe rigjenerues për qelizat hepatike.
Siç thotë proverbi nuk është flori gjithçka që shkëlqen dhe duhet shmangur mbledhja e kësaj luleje veçanërisht në zonat në afërsi të rrugëve dhe trafikut intensiv. Në rastin më të mirë drejtojuni farmacive bimore që mund t'ju japin ekstrakte të purifikuara të gjemb gomarit.
Si alternativë është e mundur të përdoret silimarina e pastër, duke e marrë të përshkruar nga mjeku në formë galenike ose duke përdorur disa barna në treg si Legalon dhe gjenerikët e tij. Për fat të keq edhe me silimarinën mund të ketë probleme të lidhura me fitovigjilencën, për shkak të ndërveprimeve farmakologjike me disa molekula substrate për citokromet ose për pompat antifluks OATPs.
Rezultati është një variacion i paparashikueshëm i përqendrimit të këtyre barnave. Gjithashtu duhet të tregohet kujdes mbi përdorimin e silimarinës në pacientë me histori të fundit të tumoreve të ndjeshme ndaj estrogjenit dhe në pacientë të prekur nga gurët në veshka. Megjithatë problemi më i ndjerë për ne farmacistët përgatitës është ai i biodisponueshmërisë të vogël të silimarinës: Praktikisht kjo nuk përthithet në mënyrë efikase në nivel sistemik. Për fat të mirë na vjen në ndihmë fitogalenika moderne për të përballuar këtë pengesë, me përdorimin e komplekseve fosfolipidike (si fitosoma, liposoma, mikroemulsionet) që shtojnë në mënyrë të ndjeshme biodisponueshmërinë.
Angelo Siviero