Fitoterapi

pri262018

Melatonina. Si të përgatitet në mënyrë galenike si qetësues dhe si bar kundër alopecisë?

Nuk është ende shumë e qartë se cili është mekanizmi i saktë i veprimit të melatoninës që merret në rrugë orale, pasi ajo duket e paaftë për të kapërcyer barrierën hemato-encefalike dhe për të luajtur rolin që luan në nivel cerebral, melatonina endogjene. Mendohet kështu se është gjendja e hipotermisë periferike e shkaktuar nga hormoni, ajo që, për pasojë, sjell gjendjen e përgjumjes.

Studime eksperimentale të kryera mbi kafshët tregojnë se hormoni shton përqendrimin e acidit aminobutirrik dhe të serotoninës në mezencefal dhe në hipotalamus, ashtu si edhe sintezën e acidit aminobutirrik, të dopaminës dhe të serotoninës.

Një përdorim interesant i melatoninës është ai te pacientët që vuajnë nga hipertensioni dhe që mjekohen me beta bllokues. Këto barna, në fakt, shtypin sekrecionin e brendshëm të melatoninës dhe, në vazhdim, mund të shkaktojnë pagjumësi (insomnia), si një efekt anësor. Marrja e 2,5mg melatoninë në mbrëmje për 3 javë, ka përmirësuar cilësinë e përgjithshme të gjumit, thellësinë e tij dhe ka reduktuar kohën e përgjumjes së thellë. Efektet favorizuese të përgjumjes janë ruajtur edhe kur bari nuk është marrë më, duke evituar kështu efektin rikthyes.

Doza maksimale që është vendosur në shtesat ushqimore është 1mg melatoninë, por mjeku mund ta shtojë sipas dëshirës këtë dozim (duke mbajtur përgjegjësi nëse i kapërcen vlerat e tabelës).

 

Formulimi i melatoninës 0,4% lëng:
Materialet:
peshore, shufra qelqi, 2 epruveta.
Melatoninë 400 mg
Aromë mjedre 500mg
Alkol etilik 96%,
Glicerinë 5g
Fruktozë 5g
Solucion sorbitoli 70% 10g
Benzoat natriumi 150 mg
Acid citrik 100 mg
Ujë sipas nevojës, deri në 100ml

Në një epruvetë, hidhni 20ml ujë të vluar, që më tej është ftohur dhe shkrini në të benzoatin e natriumit dhe fruktozën. Shtoni glicerinën dhe shurupin e sorbitolit. Në provëzën e dytë shkrihet acidi citrik në rreth 10ml ujë dhe i shtohet përbërjes së mëparshme, duke e përzier. Mënjanë, shkrini melatoninën në 10 gr alkol etilik dhe më tej hidhini aromën e mjedrës. Hidhni ngadalë dhe duke përzier solucionin alkolik në atë me ujë, duke e arritur vëllimin nëpërmjet ujit. 5 gtt përmbajnë 1mg melatoninë. Haywood A1 dhe Burrell A, kanë konfirmuar stabilitetin e kësaj përgatitjeje për rreth 90 ditë.

Përshkrimi konsiderohet si një recetë që mund të përsëritet, nëse doza është nën 2mg melatoninë në ditë. Për sasi më të mëdha, receta nuk duhet përsëritur.


Për të shmangur simptomat e këputjes që sjell udhëtimi me avion (jet-lag), rekomandohet nisja e melatoninës 3 ditë para fluturimit dhe vazhdimi i saj për 2-3 ditë në vendin e destinacionit. Por, efektet e melatoninës nuk kufizohen në rregullimin e ritmit gjumë-zgjim. Edhe në fushën dermatologjike po studiohen dobitë e këtij hormoni.

Në vitin 2015, një studim italian ka analizuar efektin e melatoninës në patologjitë e lëkurës, në veçanti, në dermatitin atopik.

Dermatiti atopik është një çrregullim inflamator i lëkurës, që shkakton alterime të fiziologjisë së saj. Është vënë re se stresi oksidues mund të merret parasysh në disa raste, si një stimulues i kësaj sëmundjeje dhe si një faktor i mundshëm për dermatitin atopik.

Studiuesit italianë kanë vëzhguar, in vivo, se si melatonina arrin të reduktojë prodhimin e citokinave proinflamatore dhe lufton stimujt e brendshëm dhe të jashtëm të stresit, duke përmirësuar integritetin e lëkurës. Efektet mbrojtëse në nivelin e lëkurës mund të vihen re edhe kur përdoret një paratrajtim topik me melatoninë para trajtimit radioterapik.

Aplikimi që mund të habisë më shumë në lidhje me aktivitetin e melatoninës, është ai në trajtimin e alopecisë androgjenike.
Siç konfirmojnë Fischer e Innocenti, në vitin 2012 kanë aplikuar për 90 ditë një locion me bazë melatonine dhe në fund të trajtimit, pacientët kanë patur një reduktim të dukshëm të ashpërsisë së alopecisë, me një shtim të densitetit prej 20% dhe një reduktim të rënies prej 30%. Nuk janë vënë re efekte anësore ose alterime të niveleve sistemike të melatoninës.

 

Shembull formulimi:
Materialet:
epruvetë, shufër qelqi, peshore
Melatoninë 100mg
Glikol propilen 10 g
Alkol 70 sa të nevojitet, deri në 100ml

Në një epruvetë hidhni alkolin e melatoninën dhe përziejeni derisa të shkrihet plotësisht. Më tej, shtoni glikol propilenin dhe përziejeni. Përbërja mbahet në një enë qelibari.
Edhe në këtë rast, për qëndrueshmërinë e përgatitjes, i referohemi studimit të Burrel e Haywood.

 

Luca Guizzon, ekspert në Fitoterapi

Burime: Sleep.2012 Oct 1;35(10):1395-402.
J Biol Regul Homeost Agents.2015 Apr-Jun;29(2 Suppl 1):142-9.
Isr Med Assoc J.2016 Mar-Apr;18(3-4):188-92.
Int J Trichology.2012 Oct;4(4):236-45. doi: 10.4103/0974-7753.111199.
Int J Pharm Compd. 2009 Mar-Apr;13(2):170-4.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC