mar102021
Xhinsengu, si përforcues kundër rënies së flokëve
Xhinsengu është një bimë me origjinë kineze (Panax giseng), emri i së cilës do të përkthehej "bima e njeriut". Karakteristikat e xhinsengut janë veçanërisht të dobishme për fenomenin sezonal të rënies së flokëve: disa studime sugjerojnë përdorimin e tij për të luftuar rënien e tepërt të flokëve. Bima me origjinë kineze, Panax giseng e merr emrin nga Panax, një fjalë latine me origjinë greke, që do të thotë "kurim për gjithçka". Termi xhinseng vjen nga gjuha kineze "renshen" që do të thotë "bima e njeriut".
Flokët, nga lindja, rritja e deri në rënie
Aspekti funksional i flokëve nuk është vetëm mbrojtja nga rrezatimi diellor dhe nga ekspozimi ndaj nxehtësisë/të ftohtit, por edhe ndikimi në pamjen dhe personalitetin e njeriut. Rënia progresive e flokëve ka një ndikim kozmetik dhe social. Flokët pësojnë tre faza të ciklit kapilar: faza anagene, katagene dhe telogene. Përmes humbjes ciklike dhe rritjes së flokëve të rinj, numri i qimeve mbetet relativisht konstant. Një shumëllojshmëri faktorësh, të tilla si hormonet, të ushqyerit dhe ekspozimi ndaj rrezatimit, toksinave mjedisore dhe barnave, mund të ndikojnë në rritjen e flokëve. Nga këta faktotrë, androgjenet janë faktorët më të rëndësishëm që shkaktojnë alopecinë androgjenetike. Format e tjera të rënies së flokëve përfshijnë rënien imunogjenike të flokëve, domethënë, alopecia areata.
Vaji i xhinsengut të kuq
Vaji i xhinsengut të kuq 10%, i përdorur duke i shtuar acidi linoleik dhe B-sitosterol një herë në ditë për 28 ditë, ka shtuar aftësinë rigjeneruese të flokëve. Analiza histologjike tregoi se ajo nxiti rritjen e flokëve përmes induktimit të hershëm të fazës së anagjenit. Kjo fazë ishte vonuar eksperimentalisht në kafshët laboratorike duke përdorur testosteronin. Rg3 ginsenoside duket se është përgjegjës për këtë aktivitet. Efekti i tij do të shprehej në nivelin e sintezës së Vegf-it, me një rritje të konsiderueshme në kodimin e niveleve të mRna-së.
Mund të konkludohet se Rg3 mund të shtojë rritjen e flokëve përmes stimulimit të qelizave staminale të gjëndrës së flokëve dhe ka potencialin që të përdoret në produktet për rritjen e flokëve. Për më tepër, xhinsengu është një bimë nootropike ose adaptogene që favorizon një sjellje më të orientuar drejt reaktivitetit dhe aktivitetit, me një ndjesi të mirëqenies subjektive. Kur përdoret kjo bimë, veçanërisht në rrugë orale, është e nevojshme t'iu kushtoni vëmendje disa efekteve anësore të mundshme, siç është, para së gjithash, pagjumësia. Efektet e tjera mund të përfshijnë të përziera, diarre, dhimbje koke, gjak nga hundët, hipertension, hipotension dhe dhimbje akute të gjirit. Xhinsengu mund të shkaktojë mani te pacientët me depresion që e marrin atë së bashku me barnat antidepresante të klasës së frenuesve të monoamine oksidazës.
Luca Guizzon, ekspert në fitoterapi
Burimet
Phytother Res. 2014 Jul;28(7):1088-95. Doi: 10.1002/ptr.5101.
Molecules. 2017 Sep 8;22(9). pii: E1505. Doi: 10.3390/molecules22091505.