Fitoterapi

gus32023

Mukoziti nga radioterapia. Dobitë e kamomilit, mentes dhe aloe verës

Pacientët me kancer të kokës dhe qafës që i nënshtrohen radioterapisë mund të përballen edhe me fillimin e mukozitit oral, i cili shoqërohet me dhimbje, disfagi, dehidrim, anoreksi dhe rënie në peshë, gjendje të cilat mund të ndikojnë në aderimin dhe efikasitetin e trajtimit të kancerit.

Një studim klinik me përzgjedhje rastësore, dyfish i verbër, në të cilin morën pjesë 67 pacientë, ka vlerësuar efikasitetin e dy shpëlarësve oral, njëri me bazë bimore (kamomil, vaj menteje dhe aloe vera) dhe mjaltë, dhe tjetri me bazë sulfati zinku, kundrejt një grupi kontrolli të trajtuar me shpërlarës goje me përmbajtje klorheksidine 0.2% dhe placebo për parandalimin e mukozitit të shkaktuar nga radioterapia. Pjesëmarrësit u randomizuan për të marrë njërin nga trajtimet për një periudhë 6 javore. Çdo javë, për gjashtë javë rresht, u krye një vlerësim pasues me shkallën e vlerësimit të fazës së mukozitit oral (OMAS: 0=pa shenja ose simptoma; 1=mukozë orale eritematoze dhe e dhimbshme; 2=zgavër orale ulcerative dhe pacienti nuk mund të hajë normalisht; 3=ulcera ka përparuar në një masë e tillë që pacienti mund të pijë vetëm lëngje; 4=pacienti nuk mund të pijë as lëngje) dhe shkalla analoge vizuale (VAS=nga pa dhimbje deri në 10=dhimbja të padurueshme) për të matur intensitetin e dhimbjes. Çdo pacient u udhëzua që të përdorte 5 ml shpëlarës goje tre herë në ditë për 60 sekonda që nga dita e parë e fillimit të radioterapisë.

Rezultatet treguan se përdorimi i shpëlarësit të gojës me bazë bimore ose sulfati zinku i uli ndjeshëm rezultatet e OMAS dhe ashpërsinë së dhimbjes në krahasim me përdorimin e klorheksidinës ose placebos, duke filluar nga java e dytë e trajtimit. Në mënyrë të veçantë, pacientët e trajtuar me shpëlarës  me bazë bimore nuk përjetuan mukozit të shkallës 3 dhe rezultati i përgjithshëm i OMAS-it ishte më i ulët në këtë grup sesa në tre grupet e tjerë të studiuar.

Shpëlarësi i gojës për këtë studim u formulua bazuar në efikasitetin e secilit komponent të vlerësuar në disa prova klinike për mukozitin, dhe kishte në përmbajtje ekstrakt kamomili, xhel aloe vera, vaj menteje dhe mjaltë. Mjalti, i cili ka veti shëruese, parandalon rritjen e mikrobeve për shkak të viskozitetit të lartë dhe osmolalitetit së bashku me PH të ulët; stimulon sekretimin e pështymës dhe aktivizon përgjigjet e sistemit imunitar, ka efekte antiinflamatore dhe antioksidante, ul nivelet e prostaglandinës dhe rrit nivelet e oksidit nitrik në vendet e lezionit, duke përshpejtuar shërimin e plagëve akute dhe kronike. Shija e këndshme e tij rrit përputhshmërinë me përdorimin e mjaltit si shpëlarës goje. Efikasiteti i mjaltit në parandalimin e ashpërsisë së mukozitit dhe rritjen e baktereve aerobe dhe candida, në lehtësimin e intensitetit të dhimbjes dhe promovimin e përmirësimit të cilësisë së jetës është demonstruar në disa studime klinike me përzgjedhje rastësore. Në mënyrë të ngjashme, është demostruar edhe rëndësia e flavonoideve që gjenden në bimën e kamomilit dhe efektet antibakteriale, antifungale dhe antiinflamatore të kësaj bime së bashku me çmimin e ulët dhe të përballueshëm që ka e kanë bërë atë një bar të veçantë në industrinë farmaceutike.

Përdorimi i shpëlarësit oral të lëngshëm me bazë kamomili te pacientët që i nënshtrohen radioterapisë ka treguar se vonon fillimin dhe ashpërsinë e mukozitit në krahasim me placebon.

Aloe vera është një bimë mjekësore, që përmban mbi 75 përbërës aktivë, e cila ka efekte të favorshme në procesin e shërimit të plagëve nëpërmjet frenimit të ciklo-oksigjenazës, përmirësimit të sintezës së kolagjenit dhe rrjedhjes së gjakut në vendin e plagës, eliminimit të radikaleve të lira dhe vetive antibakteriale. Ajo ka treguar se redukton ndjeshëm incidencën e mukozitit të rëndë të shkaktuar nga radioterapia te pacientët me kancer të kokës dhe qafës.

Ndërsa mentja është përdorur prej kohësh si një agjent ftohës në farmaceutikët aktualë, por gjithashtu ka veti antioksiduese dhe antimikrobike dhe është përdorur gjithashtu edhe për parandalimin e mukozitit edhe në studime të tjera.

Përgjithësimi i rezultateve të studimit aktual për të gjithë pacientët që i nënshtrohen radioterapisë do të duhet të konfirmohet në një grup më të madh pacientësh me kancer oral.

Për më tepër, duke qenë se produkti ishte i formuluar vetëm si shpëlarës goje, efektiviteti i tij ishte i kufizuar vetëm në zgavrën e gojës, ndërsa mukoziti nga radioterapia mund të përfshijë edhe membranat mukoze në zona më të thella për të cilat formulimet e tjera mund të jenë efektive. Prandaj, nevojiten studime të mëtejshme me madhësi më të mëdha të mostrës për të vlerësuar sigurinë dhe efikasitetin e këtij trajtimi dhe trajtimeve të tjera.

 

Sahebnasagh M, Aksi V, Eslami F, Lashkardoost H, Kasaian J, Golmohammadzadeh S, Parkam B, Negarandeh R, Saghafi F, Sahebnasagh A. Prevention of radiotherapy-related oral mucositis with zinc and polyherbal mouthwash: a double-blind, randomized clinical trial. Eur J Med Res. 2023 Mar 2;28(1):109.

 

Valentina Maggini
CERFIT, AOU Careggi


 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC