kor12024
Aritmitë. Murrizi dhe lulja e pasionit, bimë miqësore për zemrën
Në një artikull të publikuar në Medicine, analizohet efikasiteti dhe siguria e mjekësisë tradicionale bimore në trajtimin e patologjive aritmike kardiake. Aritmitë kardiake përbëjnë një sfidë të rëndësishme për shëndetin në botë, karakterizohen nga ritme kardiake të parregullta dhe mund të përkeqësojnë rëndë funksionin kardiak dhe të shtojnë rrezikun për efekte kardiovaskulare të rënda, të tilla si iktusi dhe infarktet. Pavarësisht përparimeve të mjekësisë moderne, trajtimi i aritmive, shpesh kërkon një qasje shumëfaktoriale dhe mund të shkaktojë efekte anësore të rënda. Barnat tradicionale bimore po merren akoma më shumë në konsideratë si alternativa terapeutike të mundshme, të cilat janë në gjendje të sjellin përfitime të mundshme në përmirësimin e profilit të sigurisë.
Aritmitë
Aritmitë kardiake përfshijnë një gamë të gjerë çrregullimesh të karakterizuara nga ritme kardiake të çrregullta, ose anormale. Këto patologji mund të përfshijnë takikardinë atriale, fibrilacionin atrial, ekstrasistolat ventrikulare dhe variacione të tjera në ritmin kardiak që mund të shkaktohen nga disfunksione elektrike, probleme strukturore të zemrës, sëmundje kardiake ishemike, hipertensioni arterial, disfunksioni i tiroides dhe çrregullime të tjera metabolike. Menaxhimi i aritmive nuk kufizohet në kontrollin e simptomave akute, por përfshin edhe parandalimin e komplikacioneve afatgjata përmes strategjive terapeutike efikase dhe të sigurta.
Murrizi dhe lulja e pasionit: bimë të dobishme për mbrojtjen e zemrës
Në mjekësinë tradicionale, janë studiuar bimë të ndryshme për potencialin e tyre në trajtimin e aritmive kardiake. Një nga më premtueset është Crataegus oxyacantha, e njohur edhe si murrizi. Ekstrakti i kësaj të fundit njihet gjerësisht për veçoritë e tij mbrojtëse të zemrës dhe mund të jetë efikas në rregullimin e ritmit kardiak, duke përmirësuar kontraktimin kardiak dhe duke stabilizuar sistemin elektrik të zemrës. Disa studime kanë treguar se murrizi mund të reduktojë frekuencën kardiake dhe të përmirësojë rregullsinë e rrahjeve, duke kontribuuar kështu në trajtimin e aritmive.
Bimë të tjera të përdorura janë lulja e pasionit (Passiflora incarnata), e njohur për veçoritë e saj qetësuese dhe anksiolitike. Ajo mund të jetë e dobishme në reduktimin e stresit dhe ankthit, faktorë që mund të ndikojnë në disa lloje aritmish kardiake, si p.sh. takikardia. Gjithashtu, lulja e pasionit është studiuar për efektin e saj në reduktimin e frekuencës kardiake, e cila mund të sjellë edhe përfitime shtesë në kontrollimin e aritmive.
Në një artikull, evidentohet rëndësia e analizimit të alternativave të tjera të terapive, si barnat tradicionale bimore në trajtimin e aritmive kardiake. Pavarësisht përparimeve, nevojiten kërkime të mëtejshme për konfirmimin e efikasitetit dhe sigurisë së këtyre bimëve, me qëllim futjen e sigurt dhe efikase në praktikën klinike për të përmirësuar rezultatet e pacientëve të prekur nga aritmitë kardiake. Megjithatë, për shkak të cilësisë së dobët të studimeve dhe përmasave të reduktuara të kampionit, nevojiten kontrolle të mëtejshme të ecurisë në një shkallë të gjerë, afatgjata dhe studime klinike të kontrolluara, të randomizuara dhe të mirë-planifikuara.