mar152023
Ëmbëlsuesit nën vëzhgim. Shtojnë rrezikun për infarkt dhe iktus
Sipas rezultateve të një studimi të ri, konsumimi i eritritolit, një ëmbëlsues i përdorur në industrinë ushqimore, shton rrezikun për infarkt dhe iktus. Studimi i botuar në "Nature Medicine" dhe i kryer nga studiuesit e Klinikës Cleveland në Ohio, SHBA, ka analizuar efektet e eritritolit nëpërmjet mostrave të gjakut të marra nga pacientët e regjistruar në dy studime të tjerë që kishin si synim të shqyrtonin shkallën e infarktit dhe ngjarjeve cerebrovaskulare te njerëzit me mbipeshë ose diabet.
Dietat "pa sheqer" ose me pak kalori
Studiuesit zgjodhën pikërisht këto grupe njerëzish sepse këta pacientë kanë më shumë mundësi të konsumojnë eritritol kur janë duke ndjekur një dietë "pa sheqer" ose me pak kalori. Rezultatet përcaktuan se e njerëzit me nivelet më të larta të eritritolit në gjak (kuartili i sipërm) rreziku për infarkt dhe iktus ishte rreth dyfish më i lartë gjatë një periudhe tre vjeçare, krahasuar me ata me nivelet më të ulëta të eritritolit (kuartili i poshtëm).
Për të plotësuar këtë gjetje, ekipi i Cleveland-it eksploroi edhe efektet e eritritolit në formimin e mpiksjes së gjakut në tetë vullnetarë të konsideruar si pak të rrezikuar për infarkt ose iktus dhe in vivo te një grup minjsh. Duke shtuar 45-300 mikromole eritritol në mostrat e gjakut të njeriut, studiuesit vunë re grumbullim të pazakontë të trombociteve. I njëjti rezultat u vu re edhe te minjtë, te të cilët mpiksjet e gjakut u formuan me në shtimin e 45 mikromoleve ëmbëlsues.
"Janë të shumtë faktorët që na kanë bërë të besojmë se eritritoli në përqendrime të larta shkakton një rritje të drejtpërdrejtë të reaktivitetit të trombociteve të gjakut", thotë bashkautori Stanley L. Hazen.
Eritritoli, një poliol i pranishëm në mënyrë natyrale te disa fruta dhe i përdorur si një aditiv (E968) nga industria ushqimore, teorikisht mund të jetë ëmbëlsuesi i përsosur. Me një fuqi ëmbëlsuese 70% më të lartë se sheqeri, vlera e tij kalorike është afër zeros (0,20 kcal/100 g kundrejt 4 kcal/100 g sheqer) dhe shkakton më pak efekte anësore sesa anëtarët e tjerë të familjes së tij. Gjithashtu nuk rrit insulinën, gjë që do ta bënte atë të shkëlqyer për diabetikët dhe njerëzit që ndjekin dieta me pak karbohidrate, duke mos shtuar mundësitë për zhvillimin e kariesit dentar. Megjithatë, është e nevojshme të vlerësohen me kujdes provat e reja që e lidhin eritritolin me rritjen e rrezikut për infarkt dhe iktus.
Cristoforo Zervos
Burimi
https://www.nature.com/articles/s41591-023-02223-9