Mirëqenie

jan152025

Vitamina D në shtatzëni ul rrezikun për astmë te fëmijët

Vitamina D e marrë gjatë shtatzënisë në një dozë prej 4,400 njësi ndërkombëtare (IU) në ditë, mund të luajë një rol të rëndësishëm në reduktimin e rrezikut për zhvillimin e astmës dhe frymëmarrjes së zhurmshme të njohur si fishkëllimë te fëmijët e tyre, krahasuar me dozën standarde të rekomanduar të vitaminës D. Në këto përfundime ka arritur një studim i publikuar në Journal of Alergy and Clinical Immunology nga një grup studiuesish nga Brigham and Women's Hospital, të udhëhequr nga Scott Weiss. Studimi është një përmbledhje e të dhënave 15-vjeçare të mbledhura nga Vitamin D Antenatal Asthma Reduction Trial (VDAART), i shtresuar ndryshe nga analizat fillestare të publikuara në 2016 dhe 2020.

Vitamina D
Vitamina D është një hormon që prodhohet nga trupi në lëkurë pas ekspozimit ndaj rrezeve të diellit ose që merret në sasi më të vogla nëpërmjet dietës ose në raste mungese përmes suplementeve. Kjo molekulë konsiderohet thelbësore për shëndetin e kockave, por ka funksione të tjera në organizëm, duke përfshirë edhe sëmundjet autoimune. Nivelet e vitaminës D maten në gjak dhe shprehen si nivele të 25-hidroksivitaminës D. Niveli i pragut për fillimin e terapisë është 10-12 ng/mL ose 25-30 nnmol/L. Agjencia Italiane e Barnave (AIFA), në kuadër të një studimi specifik për barnat gjatë shtatzënisë, bën me dije se doza e rekomanduar, edhe gjatë ushqyerjes me gji, është 600 IU në ditë dhe në çdo rast nënvizon se "aktualisht nuk ka asnjë provë që mbështet pa mëdyshje përdorimin e suplementeve të vitaminës D gjatë shtatzënisë", siç thuhet në faqen e internetit të Agjencisë.

Studimi klinik
Sipas autorëve, afërsisht 40% e tre-vjeçarëve kanë raportuar se kanë fishkëllima gjate frymëmarrjes thuajse çdo ditë, ndërsa në moshën gjashtë vjeçare 20% e tyre diagnostikohen me astmë. Deri më tani, lidhja midis astmës dhe vitaminës D ka qenë e diskutueshme dhe vetë studimi i VDAART, nga të dhënat e publikuara në vitet 2016 dhe 2020, kishte gjetur vetëm prova 'kufitare' në tre e gjashtë vjet reduktim të episodeve të astmës pas marrjes së vitaminës D gjatë shtatzënisë. Studimi mori në konsideratë gratë shtatzëna midis javës së dhjetë dhe të tetëmbëdhjetë të shtatzënisë me një histori familjare të alergjive ose astmës. Gjysma e pjesëmarrësve morën 4,400 IU vitaminë D, përveç dozës standarde prej 400 IU, ndërsa gjysma tjetër mori një placebo dhe dozën standarde. Në analizën e re, studiuesit shtresuan rezultatet sipas niveleve të vitaminës D në grupin e kontrollit, dhe të dyja krahasimet ishin domethënëse, me një reduktim prej 50% në rastet e astmës dhe frymëmarrjes së zhurmshme te fëmijët e grave që morën doza të larta të vitaminës D gjatë shtatzënisë në krahasim me ato qe morën placebo.



Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC