qer112014
Arian Jaupllari: Nje ligj për sistemin farmaceutik, por pa mendimin e aktorëve të tij.
Zoti Jaupllari, ju jeni në dijeni të një ligji të ri për barnat dhe shërbimin farmaceutik, çfarë mund të thoni për të?Ligji për barnat dhe shërbimin farmaceutik i miratuar në vitin 2004 edhe pse ruan standartet kryesore Europiane për sistemin farmaceutik ishte i nevojshëm të ndryshohej për dy arsye kryesore:
së pari, për shkak të ndërhyrjeve të njëpasnjëshme në tetë vitet e fundit, të cilat kanë çuar në hapa mbrapa në mirërregullimin e shërbimit farmaceutik;
së dyti, për arsye të ndryshimeve që kanë ndodhur në këto 10 vjet edhe në sistemin farmaceutik botëror sidomos në focimin e sigurisë së barnave dhe mbrojtjen e shëndetit të përdoruesve të tyre.
Në dijeninë tuaj, sa është marrë parasysh mendimi i aktorëve të sistemit farmaceutik në hartimin e tij?
Mendimi i aktorëve të sistemit farmaceutik në hartimin e dokumentave të rëndësishme është i domosdoshëm për faktin se fusha e zbatimit të tij janë pikërisht aktorët e sistemit farmaceutik, madje në ligjin e Urdhrit të Farmacistëve, pjesëmarrja është shprehur si detyrim ligjor në nenin 7 të tij. Përsa i përket hartimit të një ligji ka dy mënyra:
e para, është hartimi i një drafti nga ana e fatorëve të sistemit, në rasin konkret MSH, i cili ju jepet aktorëve të japin mendime dhe në fund drafti përfundimtar ballafaqohet në tavolina të rrumbullakta midis faktorëve dhe aktorëve të sistemit;
e dyta, është ngritja e një grupi pune të përbashkët me përfaqësi të faktorëve dhe aktorëve të sistemit dhe në fund, diskutimi në tavolina të rrumbullakta me përfaqësi të zgjeruar.
Në rastin konkret si u veprua?
Nuk u përzgjodh asnjëra nga mënyrat. Në fillim u ftuan në Ministri më 23 janar të këtij viti ku u tha se kemi marrë iniciativë të ndryshojmë ligjin e barnave dhe se si do të veprohet do t'ju informojmë. Më vonë u dërgua një draft për të tërhequr mendimet me shkrim dhe mesa unë kam dijeni të gjithë aktorët u angazhuan seriozisht në dhënien e mendimeve mbi një draft të nivelit nënmesatar. Ju dergua zyrtarisht aktorëve se do të organizojmë një tavolinë të përbashkët për diskutim, por ajo nuk u realizua asnjëherë. Ajo që më vjen më shumë keq është fakti se mendimet e aktorëve nuk janë të pasqyruara në drafitn për të cilin mesojmë se ka marrë miratimin e qeverisë dhe është nisur drejt kuvendit.
Ju e kini parë draftin e miratuar nga qeveria?
Jo nuk e kam parë, sepse nuk është publikuar akoma në faqen e Kryeministrisë. Mendimi im është se të gjithë aktorët e sistemit duhet të bashkohen për të dhënë mendime në fazën e diskutimit në Komisionet Parlamentare me qëllimin e mirë për të hartuar një ligj, i cili duhet të përmbushë standartet bashkëkohore dhe nevojat e sistemit farmaceutik shqiptar.
Arian Jaupllari
President nderi i UFSH