kor252014
Ilir Beqja: Do të mbyllen farmacitë pranë spitaleve
Më datë 23 korrik është mbledhur Komisioni Parlamentar për Ekonominë për të diskutuar projektligjin "Për barnat dhe shërbimin farmaceutik", ku ishte i ftuar dhe Ministri i Shëndetësisë Z. Ilir Beqja. Sipas informacioneve të marra nga "Gazeta Telegraf", Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Z. Erjon Braçe iu drejtua Ministrit duke nënvizuar shqetësimin e Bankës Botërore në lidhje me çmimet e barnave në vendin tonë të cilat janë më të larta se në BE, apo mungesën e shumë barnave të nevojshme.
Z. Beqja u përgjigj duke theksuar punën e bërë nga kjo Ministri e cila ka si qëllim vendosjen e rregullave për përdorimin dhe shitjen e barnave.Sipas tij në 300 ditët e para të qeverisjes janë ulur me 20% çmimet e barnave. "Kemi një treg barnash që shkon deri ne 175 milion euro, 1/5 e buxhetit na shkon për barna".
Më pas Z. Braçe ngriti shqetësimin e distancës së farmacive nga qëndrat spitalore si dhe numrin e madh të farmacive të cilat ushtrojnë aktivitetin pranë tyre, kryesisht në zonën e QSUT dhe sipas tij "ka më shumë farmaci se sa dyqane buke".
"Ato farmaci do të detyrohen të mbyllen, ky problem do të zgjidhet tek qëndra e liçensimit dhe njëkohësisht do të garantohet furnizimi i spitaleve" u përgjigj Z. Beqja.