Shëndetësi

kor292014

Po flas të shpëtoj shpirtin tim

Përpara se të pyesni për "kokën politike të vetëshpallur në rrezik", pyesni dhe për "koka turku". Kjo ishte fjala ime e mbylljes, ditën e djeshme në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, ku ishin thirrur për t'u dëgjuar aktorët e sistemit farmaceutik rreth drafit të ligjit "Për barnat dhe shërbimin farmaceutik". Aktorët e sistemit farmaceutik me përfaqësues nga Urdhri i Farmacistëve, Shoqata e Përfaqësive Farmaceutike, Unioni i Biznesit Farmaceutik dhe Sindikata e Farmacistëve ishin aty pas kërkesës së paraqitur nga vetë ata, sepse në lidhje me drafitn e paraqitur në këtë komision, Ministria e Shëndetësisë nuk organizoi tryezën e rrumbullakët të njoftuar zyrtarisht nga ana e tyre. Kjo tryezë dëgjese ishte e vonuar në kohë, sepse ky komision e kishte kaluar draftin në parim në mënyrë të përshpejtuar edhe pse ne ishim informuar se do të shtyhej për diskutim në muajin shtator. Ky diskutim erdhi dhe dy ditë pas konkluzioneve të Bankës Botërore për sistemin farmaceutik në të cilën renditeshin një numër shumë i madh problemesh të këtij sistemi, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë u përqëndrua vetëm tek zhurma që i intereson dhe lidhet me përcaktimin si vendi me çmimet më të larta të barnave në ballkan, gjë që nuk është tërsisht e vërtetë. Habia e publikut shqiptar dhe opinionit shëndetësor në tërësi e farmaceutik në veçanti, ishte vetëshpallja e "një koke në rrezik". Të gjitha këto ngjarje të rrjedhura shpejt dhe të montuara keq e vunë në një pozicion të vështirë këtë komision. Megjithatë vlerësimi i aktorëve për komisionin nuk mungoi pasi është e vetmja tryezë ku aktorët janë ulur për t'u ballafaquar për reformën e ndërmarrë në sistemin farmaceutik. Mendimet shumë konstruktive të anëtarëve të komisionit konvergonin me shqetësimet e drejta të aktorëve të sistemit farmaceutik. 

Po ndalem në disa momente të rëndësishme të këtij projektligji, i cili brenda muajit do paraqitet për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Për të vlerësuar se si është hartuar një projektligj mjafton të lexosh relacionin shoqërues të tij. Projekti i paraqitur ka vetëm dy faqe e gjysëm format A 4 dhe është pa autorësi. Nuk përmendet asnjë gjë se nga vjen ky ligj, ku do të shkojë dhe për më tepër çfarë do sjellë e sa do qëndrojë. 

Parimisht në hartimin e një ligji në tërësi, rasti kur ka një ligj ekzistues, duhet të merren parasysh disa referenca thelbësore, siç janë: ligji ekzistues, ndryshimet e tij, problematikat e hasura gjatë zbatimit, risitë e draftit që propozohet, raporti midis sanksioneve ligjore dhe vendimeve të qeverisë apo akteve të tjera normative, përputhshmëria me direktivat e CE dhe OBSH, qëndrueshmëria e ligjit. Po i analizojmë në veçanti duke ju referuar këtij drafti që ka marrë përsipër të jetë në nivel më të lartë standartesh nga ligji ekzistues, sepse në rast të kundërt nuk mund ta shfuqizojë atë.

1. Analiza e ligjit Nr. 9323, datë 25.11.2004, të pa ndryshuar.  Ai u hartua nga një grup pune i zgjeruar dhe me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve dhe aktorëve të sistemit farmaceutik dhe ndihmesën e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë dhe nuk pati asnjë kontestim të vetëm. Ishte në përputhje të plotë me direktivat e CE dhe OBSH. Garantonte sigurinë, cilësinë dhe efektshmërinë e barnave. Ngriti dhe konsolidoi një sistem farmaceutik të qëndrueshëm dhe mbrojti për 10 vjet shëndetin e përdoruesve të barnave dhe shërbimin profesional ndaj tyre. Përsëri ai mbetet baza e legjislacioneve në të ardhmen, sepse mbron pasaportën e barit , regjistrimin e tij.

2. Ndryshimet e bëra në 8 vjet, shënohen si hapa mbrapa, sepse kanë cënuar hallka të rëndësishme të funksionimit të sistemit, duke dëmtuar rëndë shërbimin farmaceutik. Ja disa prej tyre : heqja e konceptit të negocimit të çmimit të barnave, heqja e përfaqësimit të Urdhrit të Farmacistëve  nga Komisioni i Çmimit të Barnave, licensimi i farmacive nga DSHP-të Rajonale që nuk u krijuan kurrë, ulja e përvojës profesionale të drejtuesit teknik nga 3 në 2 vite, heqja e të drejtës së QKKB për inspektimin e objekteve para hapjes  së farmacive dhe heqja e kritereve teknike për hapjen e farmacive. Në asnjë rresht të relacionit nuk bëhët një analizë e këtyre ndryshimeve dhe çudia më e madhe është se vazhdojnë të flasin për negocim të çmimit të barnave kur ndërkohë në draftin e paraqitur nuk ka asnjë fjalë të vetme për negocimin. Me sa duket e kanë në mendje ta përcaktojnë vetë dhe jo ligji këtë proces kaq të rëndësishëm në përcaktimin e çmimit të barnave, qëllimi është i qartë.

3. Problematikat gjatë zbatimit të tij kanë qenë shumë të pakta. Ai ligj duhej ribërë nga e para për disa arsye: së pari, ndryshimet e bëra kanë shënuar hapa mbrapa dhe kanë cënuar rëndë shërbimin farmaceutik; së dyti, shërbimi farmaceutik për fat të keq ishte sanksionuar pak dhe pas 10 vitesh kur ka ndryshuar jo vetëm cilësia e shërbimit por dhe cilësia e profesionistëve prandaj duhet që ky draft të garantojë cilësinë më të lartë të shërbimit ndaj popullatës në nevojë dhe përdoruesve të tjerë që kanë nëvojë për barna dhe informacin për to; së treti, janë hartuar dhe ligje të tjera si ligji i profesioneve të rregulluara, ligji i arsimit të lartë, ligji i lejeve dhe licencave, ligji i Fondit të Detyryshëm të Kujdesit Shëndetësor, të cilët kanë përplasje midis tyre , të cilat ky projektligj nuk i llogarit fare.

4. Risitë që sjell ligji. Përsëri po t'i referohemi relacionit është qesharake të përmendësh si risi të tij, po e citoj të plotë: " Ristië që sjell ky projektligj, fillojnë që nga përdorimi për herë të parë i termave deri tani të papërdorura në legjislacionin farmaceutik, si " bar homeopatik", "bar biologjik", "biosimilar", " dosje e provës klinike" etj". Ky draft nuk ka marrë përsipër të tregojë cfarë ka sjelle risi, sepse krahasuar me  ligjin ekzistues ai sjell prapësinë më të madhe, rrëzimin e procesit të regjistrimit.

5. Raporti midis sanksioneve ligjore dhe vendimeve të qeverisë apo akteve të tjera normative nuk përmendet qëllimisht në këtë relacion, pasi ai përbën rastin më skandaloz në hartimin e një ligji. Në ligjin ekzistues raporti midis sanksioneve në ligj dhe akteve nënligjore ka qënë 70 me 30 në favor të sanksioneve ligjore, kurse në draftin e paraqitur është e kundërta 70 me 30 në favor të akteve nënligjore. Ky raport i përmbysur i hap rrugën korrupsionit dhe klientelizmit të pastër.

6. Përputhshmëria me direktivat e CE dhe OBSH. Për të vlerësuar edhe këtë tregues themelor mjafton ti referohesh materialit që i bashkëlidhet draftit ku shprehet përputhshmëria dhe duket qartë se ka tri shprehje: " e plotë", "e pjesshme", " zero". Raportet janë të çuditshme, në shumicë janë boshe, pra zero, disa me shprehjen "të plota", janë për nene më pak të rëndësishme dhe disa me shprehjen "të pjesshme", për nenet që përbëjnë shtyllat e ligjit. Konceptualisht është e papranushme. Po marrim si shembull vetëm regjistrimin e barit. Direktiva ka rreth 40 nene, kurse në draft nuk ka asnjë, por në nja, dy a tre nene përmendet kalimthi fjala "regjistrim", madje është fshirë edhe nga përkufizimet. Atëhere, për çfarë përputhshmërie bëhet fjalë?

7. Qëndrueshmëria e ligjit përcaktohet nga sa thamë më sipër, prandaj duke analizuar me hollësi drafthartuesi ia ka prerë ditët që sot. Drafthartuesi ka marrë  një përgjegjësi të madhe t'i presë kokën sistemit farmaceutik që funksionon prej 20 vitesh dhe nuk është shprehur për ngritjen e një sistemi të ri dhe së dyti, shërbimin farmaceutik nuk e ka në konsisderatë fare nuk ka asnjë nen të vetëm për shërbimin farmaceutik. Që në titullin e tij ky projekt pakëzohet si: projektligj " Për barnat dhe shërbimin farmaceutik". Kur përfundon së lexuari këtë projektligj, shumë kush e kupton se nuk kemi të bëjmë më me një projektligj për barin, sepse barnat e humbasin pasaportën e tyre që e marrin pas procesit të regjistrimit dhe mund të mos quhen më barna, por edhe një shërbim pa norma, pa parime e rregulla nuk mund të quhet më shërbim farmaceutik.Pasojat e tij pas rënies së sistemit dhe shërbimi kaotik spontan do kërkojnë rishikimin e tij të detyryshëm shumë shpejt. Dhe në raste të ngjarjeve të rënda hartuesit nuk do të mbajnë përgjegjësi. Aktorët e sistemit farmaceutik e kanë shprehur në vazhdimësi vullnetin dhe gatishmërinë për të kontribuar në rishikimin e këtij drafti.Ky draft i hartuar keq nga një dorë e vetme, pa marrë asnjë mendim të specialistëve të fushës që nga sepecialistët e Ministrisë së Shëndetësisë, aktorët e sistemit e deri te farmacisti në farmaci, duhet të ndalet këtu. Paralajmërimi është i qartë, kjo është përgjegjesia jonë profesionale, ta mbrojmë sistemin farmaceutik, sepse jemi pjesë e tij . Aprofesionistët mund të gabojnë edhe iu falet, dhe s'ka përse e shpallin kokën të rrezikuar. Nëse unë do ta merrja përsipër për të sakrifikuar kokën time për të shkatërruar sistemin farmaceutik, do të bëja marrëzi.  Prandaj do kishte më shumë kuptim shprehja. Një kokë politike e vetme, me një sistem pa kokë, nuk mund të barazohen. E di që zëri im dhe i shumë kolegëve si unë nuk është dëgjuar dhe nuk ka gjasa të dëgjohet. Për këtë arsye po përsëris proverbin latin: "Parlava et salvava animam meam".

Arian Jaupllari

Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC