jan162015
Asnjë informacion mbi regjistrimin e barnave të reja shtator-dhjetor 2014 në Shqipëri
Që prej muajit shtator në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në atë të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) nuk publikohen listat e regjistrimit të barnave të reja të cilat kanë hyrë në Shqipëri. Regjistrimi i fundit rezulton më datë 03.09.2014 ndonëse në krye të listës shkruhet "Regjistri i barnave datë 24.11.2014". Bazat e të dhënave për këto lista rifreskohen një herë në muaj ose një herë në dy muaj, duke ofruar një shërbim të detyrueshëm për të interesuarit be drejtpërdrejtë siç janë edhe organizatat që veprojnë në fushën farmaceutike dhe të pajisjeve mjekësore brenda vendit. Farmacist33.al është interesuar pranë organeve kompetente se përse lista e barnave të reja ka "ngecur" në muajin shtator dhe nuk është përditësuar, por nuk kemi marrë asnjë prononcim.
Ndërkaq Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e datës 4 janar 2015 strukturën e re dhe mënyrën e funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Mes të tjerave në vendim thuhet se AKBPM: " a) Zbaton të gjitha detyrimet ligjore, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, për vendosjen në treg, eksportin, tregtimin dhe përdorimin e barnave, të barnave homeopatike si dhe të pajisjeve mjekësore; si dhe ... ë) Kryen procesin e regjistrimit dhe të inspektimit, bazuar në standardet e parashikuara për pajisjet mjekësore;
Lista e vitit 2014 deri në muajin shtator përfshin barna të reja, të cilat shërbejnë për sëmundje si diabeti, anemitë, sëmundjet kardiake, gjithashtu në trajtimin e disa sëmundjeve tumorale, në neurologji, në nefrologji, në kujdesin paliativ, në dermatologji, gjinekologji, urologji, shëndetin mendor, alergologji dhe okulistikë. (klikoni këtu).