Instituti Kombëtar i Shëndetit në Britani (NICE) ka publikuar disa standarde të reja cilësie për trajtimin dhe menaxhimin e psikozës dhe skizofrenisë (duke përfshirë çrregullimet psikotike si ato skizo-afektive, skizo-freniforme dhe çrregullimet delirante). Standardet e cilësisë nuk përfshijnë të rriturit me simptoma psikotike transitore.Aktualisht barnat anti-psikotike janë trajtimi primar për psikozën dhe skizofreninë. Ka prova të konsoliduara mbi efikasitetin e tyre si në trajtimin e episodeve psikotike akute si në parandalimin e rishfaqjes së tyre në kohë, në kombinim me ndërhyrjet psikologjike.
Megjithatë, një numër i madh pacientësh (rreth 40% e tyre) nuk i përgjigjen plotësisht ose pozitivisht barnave anti-psikotike konvencionale dhe vazhdojnë të shfaqin simptoma nga të moderuara në të rënda. NICE rekomandon që të rriturit me një episod të parë të psikozës ta fillojnë trajtimin brenda 2 javësh, sepse ndërhyrja e parakohshme është në gjendje të përmirësojë rezultatet klinike, siç janë normat e shtrimit në spital, simptomat dhe rishfaqjet te personat të cilët kanë kaluar një episod të parë të psikozës.
Një rekomandim tjetër i NICE-s nënvizon rëndësinë për t'iu ofruar të rriturve me psikozë/skizofreni një terapi konjitive (CBTp) në kombinim me barnat anti-psikotikë. NICE rekomandon që të rriturit me psikozë/skizofreni të informohen vazhdimisht mbi gjendjen e shëndetit të tyre dhe të bëhen pjesë e programeve që përfshijnë ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik dhe ndalimin e duhanpirjes.
Duhanpirja, obeziteti dhe diabeti i tipit 2 e reduktojnë me 15-20 vjet jetën e të rriturve me psikozë ose skizofreni në krahasim me popullatën në përgjithësi. Aktualisht, vetëm 5-15% e personave me skizofreni janë të angazhuar në një punë, pohon NICE që rekomandon programe në mbështetje të punës për adultët e prekur. Papunësia mund të ketë një efekt negativ mbi shëndetin mendor dhe fizik te të rriturit me psikozë dhe skizofreni. Standardet e cilësisë përfshijnë edhe rekomandime për ndërhyrjen e familjarëve apo shoqëruesve te të sëmurët me psikozë dhe skizofreni./AIFA