nën42015
Mashtrimi me rimbursimet. Ekspertët: U vodhën 2.2 milion euro. Çausholli: E gjithë kjo një show mediatik
Në Gjykatën e Tiranës është u zhvillua seanca për 13 të arrestuarit e përfshirë në skandalin me recetat fiktive. I pari që doli para gjykatës ishte z.Nadir Çausholli, administratori i depos "Omega Pharma". Sipas hetimit rezulton se kjo depo farmaceutike ka shpërndarë receta të falsifikuara në farmaci të ndryshme dhe këto të fundit i kanë paraqitur recetat për rimbursim pranë Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, duke tërhequr në total shumën prej 2.2 milionë eurosh, shumë e konstatuar nga ekspertët e Prokurorisë së Tiranës.
Kjo e fundit kërkoi masën "arrest me burg" për administartorin e "Omega Pharma"-s, duke pohuar se dëmi ekonomik ndaj shtetit ka nisur në janarin e vitit 2013 deri në tetor 2015 dhe ka përfshirë në skemën e përfitimit dy lloj barnash, insulina dhe ketosterili. Përballë kërkesës së Prokurorisë, pala mbrojtëse ka kërkuar një masë më të butë për klientin e saj, si "detyrim paraqitje", duke pretenduar se nuk përbën rrezik. Ndërkaq z.Çausholli tha në gjykatë se ka bërë blerje reale dhe se "Omega Pharma" e cila zotëron mbi 40-45% të barnave në treg është një kompani serioze. Ndërsa vlera e informalitetit është më pak se 1 % të xhiros që ka kompania. "Po na hetojnë për informalitet ndonëse i kam dorëzuar faturat. Ky është një show mediatik që po e masakron biznesin", u shpreh z.Çausholli.
Gjykata vendosi këto masa sigurie për 5 nga të akuzuarit:
"arrest në burg" për Nadir Çaushollin
"arrest në burg" për Tasim Toçin
"arrest në burg" për Erind Hajdarin
"detyrim paraqitje" për Manjola Pernocin
"detyrim paraqitje" për Vangjelica Qerushin