dhj12015
Dita Botërore kundër HIV/AIDS, terapitë antiretrovirale më efikaset në parandalim
Kanë kaluar më shumë se 30 vjet nga identifikimi i virusit HIV, i cili ka shkaktuar nga ajo kohë më shumë se 34 milionë të vdekur në të gjithë botën. Të dhënat më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrës Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) i përkasin vitit 2014, gjatë të cilit u shënuan rreth 142 mijë raste të reja të diagnoztikuara me AIDS dhe prej tyre 30 mijë vetëm në Evropë. Në nivel global 36.9 milionë njerëz në mbarë botën jetonin me HIV në vitin 2014 dhe nga këta 2.6 milionë ishin fëmijë.
Statistikat për Shqipërinë tregojnë se qëkur virusi u shfaq për herë të parë në vitin 1993 e deri në 2015-ën janë raportuar gjithsej 870 raste me HIV/AIDS, nga të cilat 153 vdekje.
Vlerësohet se grupmosha më e prekur është 15-29 vjeç, ndërsa rruga kryesore e transmetimit mbetet ajo e raporteve seksuale të pambrojtura, ku në 42% të rasteve transmetimi i infeksionit ndodh në raportet homoseksuale dhe në 32% në raportet heteroseksuale.
Disa shtete si Franca dhe Gjermania kanë futur ose janë duke konsideruar vetëtestimin, ku teste specifike shiten në farmaci dhe personat mund të identifikojnë në kushte shtëpie nëse janë bartës ose jo të virusit. Megjithatë vetëtestimi për HIV-in nuk jep një diagnozë përfundimatare dhe kërkon analiza të mëtejshme duke përdorur një testim kombëtar të vërtetuar.
AIDS, nga sëmundje vdekjeprurëse është kthyer në një sëmundje me të cilën mund të bashkëjetohet për më shumë se 30 vjet nëse kurohet në mënyrën e duhur dhe diagnostikohet herët.
Sot ekzistojnë propozime të ndryshme terapeutike për të mbajtur nën kontroll zhvillimin e virusit HIV në organizëm, ndonëse nuk është ende e disponueshme një kurë për të çrrënjosur plotësisht virusin nga organizmi. Edhe pse njihet agjenti i tij patogjen, nuk ekziston ende një vaksinë.
Trajtimet për infeksionin nga virusi HIV janë terapitë e kombinuara që përdorin njëkohësisht 3 ose më shumë barna antiretrovirale. Me e zakonshmja është HAART, e cila lejon që të mbahet nën kontroll replikimi i virusit në gjak, duke nxitur funksionimin e sistemit imunitar. Një studim klinik i drejtuar në 2011-ën ka treguar se si terapia antiretrovirale, nëse niset në momentin e diagnozës redukton vdekshmërinë. Ndonëse nuk e shëron infeksionin mund ta mbajë nën kontroll, ndërkaq bota është në pritje që të paktën një nga tentativat e instituteve të ndryshme kërkimore të rezultojë me sukses te njeriu. Pikësynimi i OBSH është që deri në vitin 2030 duke u mbështetur në zgjedhjet parandaluese të shmangen 28 milionë raste të reja infektimi dhe 21 milionë vdekje nga AIDS./D.GJ.