mar312016
Barna novatore me kosto të lartë: ja si planifikojnë të kursejnë në SHBA
Aksesi ndaj barnave novatore me kosto të lartë është një temë e nxehtë në Evropë, por edhe në Shtetet e Bashkuara. Në një editorial të publikuar në "New England Journal of Medicine" i vihet theksi disa propozimeve politike të cilat janë kthyer tashmë në ligj, si p.sh. nisma për t'iu kërkuar kompanive të barnave gjenerike një skonto shtesë për Medicad (asistenca shëndetësore publike e destinuar personave me nivel të ulët të ardhurash) nëse çmimet e barnave të tyre do të rriteshin më shpejt se inflacioni; apo ligji që iu imponon kompanive të bëjnë publike informacionet e përdorura për përcaktimin e çmimit të barnave. Opsione të tjera të propozuara mbeten ende të pakonkretizuara, e tillë është heqja e eskluzivitetit tregtar për kompanitë farmaceutike të dënuara për mashtrim.
Shumë nga nismat synojnë të përdorin instrumentet e tregut për të qetësuar çmimet. Disa politika për reduktimin e çmimeve të barnave me përshkrim dolën se ishin vërtet premtuese, mes tyre veprimi mbi barnat ekuivalente të cilat për dekada kanë prodhuar çmime shumë më të ulëta. "Megjithatë, - nënvizohet në artikull, - studimet tregojnë se rreth gjysma e barnave gjenerike janë bërë më të shtrenjta gjatë dy viteve të fundit. Shumë rritje çmimesh duket se lidhen me barna që përgjithësisht administrohen nga mjekët, në spitale apo të distribuara nga farmaci të specializuara. Përkeqësimi i konkurrencës së gjenerikëve ka ardhur edhe si pasojë e daljes nga tregu të disa kompanive dhe përdorimi i burimeve të jashtme. Një masë tjetër e propozuar është ulja e çmimit për barnat objekt përshkrimi, nëpërmjet reformës së "Programit federal 340B", e cila iu ofron spitaleve të regjistruara skonto të mëdha (zakonisht 20% deri në 50%) mbi koston e blerjes së barnave ambulatoriale.
Në bazë të statutit, programi nuk iu kërkon spitaleve të shtrijnë skontot ndaj pacientëve në trajtim ose të kufizojnë furnizimin e barnave me çmime të ulura ndaj pacientëve të pasiguruar. Shtrirja e programit është aktualisht kaq e gjerë për barnat e përdorimit të zakonshëm, sa që çmimet e tyre janë rritur me shumë mundësi për të gjithë konsumatorët. Një orientim më i mirë i programit 340B mund të rrisë aksesin për të gjithë pacientët në nevojë duke ulur në të njëjtën kohë çmimet për kontribuuesit e tjerë.