Shëndetësi

shk132018

Tiroiditi kronik autoimun te gratë që bëjnë RMA. Trajtimi me LT-4 nuk ndikon në shtatzëni

Një studim i fundit kinez ka paraqitur të dhëna të nevojshme në një fushë veçanërisht kontroverse, pasi është shumë e varfër në studime me përzgjedhje rastësore, të afta për të vlerësuar domosdoshmërinë e terapisë me L-T4 te pacientet shtatzëna dhe me tiroidit kronik autoimun eutiroid. "Një kusht i tillë, shpjegon Roberto Negro, endokrinolog, mund të shtojë rrezikun për abort spontan apo lindje të parakohshme. Rreziku i abortit spontan duket të jetë veçanërisht i dukshëm te pacientet infertile që i nënshtrohen fekondimit të asistuar. Terapia që përdoret për stimulimin e vezores, në fakt, përfshin një rritje të konsiderueshme të niveleve të TSH-së, sidomos te pacientet me tiroiditit kronik autoimun (me rezervë funksionale të reduktuar të tiroides). Shtimi i rrezikut për zhvillim të hipotireozës pas terapisë për stimulim ovarian, do të shpjegonte shkallën më të lartë të abortit në një periudhë të shkurtër dhe të lindjeve të parakohshme, në atë afatgjatë".

Në studim janë rekrutuar dy grupe me 300 paciente të prekura nga tiroiditi kronik autoimun në fazën eutiroide (TSH 0.5-4.78 mIU/L), që i janë nënshtruar fekondimit të asistuar (IVF/ICSI). Pacientet rezultuan negative në analizën për antitrupat e kardiolipinës, atë antinuklear, antikoagulantin e lupusit, nuk përdornin terapi të tjera shtesë (kortizon), as barna për tiroiden, si dhe nuk kishin historik aborti të përsëritur.

Negroja raporton: "Njëri nga grupet i nënshtrohej terapisë me L-T4 (25 mcg/die nëse TSH < 2.5 mIU/L dhe 50 mcg/die nëse TSH > 2.5 mIU/L). Funksioni tiroid kontrollohej nga java e 12-të në atë të 24-ërt të shtatzënisë, duke e përshtatur dozimin e L-T4 për të mbajtur TSH < 3.0 mIU/L gjatë shtatzënisë. Grupi tjetër, që në fillim ishte pa L-T4, e merrte terapinë nëse në kontrollet e shtatzënisë vlera e TSH-së kapërcente kufirin e përcaktuar".

Dallimi thelbësor mes dy grupeve (atij të ndërhyrjes dhe atij të kontrollit), vë në dukje endokrinologu, qëndronte në kohën e marrjes së L-T4. Në grupin e ndërhyrjes ai merrej para stimulimit ovarian, ndërsa në grupin e kontrollit, vetëm gjatë shtatzënisë, nëse ishte e nevojshme.

Rezultatet kanë treguar se mes dy grupeve: 1. Norma e abortit nuk ishte e ndryshme (10.3% në grupin e ndërhyrjes, kundrejt 10.6% në grupin e kontrollit); 2) nuk janë vënë re dallime domethënëse në kuptimin e shtatzënive intrauterine, numrit të të lindurve dhe lindjeve të parakohshme.

"Përqindja e abortit spontan ishte e ngjashme në pacientet e trajtuara dhe në ato të patrajtuara, edhe të shtresëzuara sipas niveleve të TSH-së: norma e abortit spontan nuk ishte rritur as te pacientet me vlerë TSH > 4.0 mIU/L që u lanë pa terapi", thotë Negroja. "I vetmi kufizim thelbësor i studimit, ka të bëjë me numrin e pacienteve që morën pjesë në të, që është menduar i pamjaftueshëm për rezultatin kryesor. Vlerësimi i 300 pacienteve për grup, në fakt, bazohej në një normë aborti të parashikuar prej 30 % (që në fakt ka qenë 10.5%) dhe një përqindje shtatzënish prej 42% (që në fakt ka qenë 36.7%)».

Por, edhe me këtë kufizim, nga studimi del se terapia me L-T4 nuk e ul normën e abortit dhe as e shton numrin e të lindurve të gjallë te pacientet e prekura nga tiroiditi kronik autoimun, që i nënshtrohen fekondimit të asistuar.

 

JAMA Dec 12;318(22):2190-8. doi: 10.1001/jama.2017.18249.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC