Shëndetësi

pri162018

Tani, nuk duhet ta shponi gishtin për matjen e glicemisë. Këtë do ta bëjnë sensorët e një leukoplasti

Sipas një studimi të publikuar në "Nature Nanotechnology", disa kërkues të departamenteve të fizikës, farmacisë dhe farmakologjisë e kimisë në Universitetin e Bathit, në Mbretërinë e Bashkuar, kanë qenë në gjendje të krijojnë një leukoplast që bën matjen e vlerave të glukozës nëpërmjet lëkurës, pa e shpuar gishtin.

Leukoplasti, në të vërtetë, nuk e shpon lëkurën, por e tërheq glukozën nga lëngu qelizor nëpërmjet folikujve të qimeve dhe e përdor atë në mënyrë individuale nëpërmjet një serie sensorësh shumë të vegjël, që përdorin një rrymë të lehtë elektrike. Glukoza mblidhet në këtë mënyrë në depozita të vogla dhe matet. Këto matje mund të bëhen çdo 10-15 minuta dhe në orë të ndryshme.

"Falë projektimit të kësaj serie depozitash dhe sensorësh, leukoplasti nuk kërkon kalibrim tjetër me një kampion gjaku. Gjetja e një metode jo invazive për të monitoruar gliceminë ka qenë një objektiv i vështirë për t'u arritur dhe pajisja, që deri më tani i kishte shkuar më afër, kërkonte të paktën një kalibrim me një "finger-stick" ose impiantin e një sensori të para kalibruar", saktëson Richard Guy, që ka drejtuar grupin e punës.

Kërkuesit shpresojnë që realizimi i tyre të shndërrohet në një sensor që vishet dhe që ka kosto të ulët, i cili i dërgon matjet glicemike të rregullta dhe klinikisht të rëndësishme në telefon ose në orën e atij që e vendos, nëpërmjet internetit, duke lajmëruar në rast se është nevoja për ndërhyrje.

Një avantazh i rëndësishëm i kësaj pajisjeje, krahasuar me të tjerat, është se çdo sensor në miniaturë mund të veprojë në një zonë të vogël dhe në një folikul të vetëm, duke reduktuar në këtë mënyrë dukshëm ndryshueshmërinë e glukozës mbi e nën lëkurë dhe duke përmirësuar saktësinë e matjeve. Në këtë studim në veçanti, grupi ka testuar leukoplastin si në lëkurën e derrit, ku ka treguar se është në gjendje të monitorojë me saktësi nivelet e glukozës në intervalin e vëzhguar te pacientët diabetikë njerëz, ashtu edhe tek ata që kanë dalë vullnetarë, ku edhe një herë tjetër ka qenë në gjendje të gjurmojë ndryshimet e nivelit të sheqerit në gjak për të gjithë ditën.

Hapat e tjerë kanë të bëjnë me një perfeksionim të modelimit të leukoplastit për të optimizuar numrin e sensorëve dhe demonstrim të funksionalitetit të plotë në një periudhë 24-orëshe.

 

Nature Nanotechnology 2018. doi:10.1038/s41565-018-0112-4
https://www.nature.com/articles/s41565-018-0112-4


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC