pri242018
Esketamina intranazale. Efekt më i shpejtë kundër depresionit dhe mendimeve vetëvrasëse
Ketamina, në formën e esketaminës, mund të jetë e nevojshme për trajtimin e shpejtë të depresionit madhor dhe të mendimeve vetëvrasëse.
Autorët e studimit të publikuar në "American Journal of Psychiatry" dhe të udhëhequr nga Carla Canuso (Janssen Research), kanë përzgjedhur në mënyrë rastësore 68 pjesëmarrës për të marrë esketaminë (84 mg) ose placebo (dy herë në javë për katër javë), bashkë me një trajtim standard kurimi, për të përcaktuar ndryshimin në rezultatin me shkallën e matjes së depresionit Montgomery-Åsberg dhe rrezikun për vetëvrasje, që në fillim e deri në katër orë pas dozës fillestare. Më tej, ata kanë vlerësuar efektet e trajtimit në 24 orë dhe në ditën e 25-të.
Kërkuesit kanë vënë re një përmirësim të dukshëm sa i përket depresionit, te pacientët që kanë marrë esketaminë, krahasuar me ata që kanë marrë placebo pas 4 dhe 24 orësh.
Megjithatë, asnjë dallim i dukshëm nuk u vërejt mes grupeve, në periudhën 25-ditore. Pacientët që kanë marrë esketaminë patën përmirësim dukshëm më të madh sa u përket mendimeve vetëvrasëse në 4 orë, por jo në 24 orë apo në ditën e 25-të. Gjykimi i përgjithshëm mbi rezultatet e rrezikut të vetëvrasjes nuk ishte dukshëm i ndryshëm në mes të grupeve të trajtimit, në çdo kohë. Esketamina intranazale përgjithësisht tolerohej mirë dhe ndodhën ngjarje të padëshirueshme që çuan në ndërprerjen e trajtimit te pesë pacientë në grupin e esketaminës dhe një, në grupin e placebos.
Ngjarjet më të shpeshta të padëshiruara mes individëve që kanë marrë esketaminë ishin të përziera, marramendje, shije e pakëndshme dhe dhimbje koke. Në një editorial, një grup pune i kryesuar nga Robert Freedman, anëtar i bordit redaktues të "American Journal of Psychiatry", thekson nevojën për kujdes për shkak të efekteve të dëmshme që mund të ketë abuzimi me ketaminën, veçanërisht sepse në shumicën e studimeve mjekët vlerësuan vetëm sigurinë dhe efikasitetin në mënyrë akute.
"Qëllimi është të përcaktojmë rrezikun e abuzimit dhe kuadrin brenda të cilit një trajtim i tillë do të jetë në dispozicion të atij që ka nevojë për të, duke mbrojtur popullatën në rrezik abuzimi nga një epidemi që do të ndodhte për shkak të përdorimit të papërshtatshëm", përfundojnë redaktorët.
Am J Psychiatry. 2018. doi: 10.1176/appi.ajp.2018.17060720
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29656663
Am J Psychiatry. 2018. doi: 10.1176/appi.ajp.2018.18030290
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29656666