qer42018
Decitabina me doza të ulëta, efektive ndaj kancerit të gjirit negativ të trefishtë
Një ilaç i përdorur në sindromën mielodiplastike mund të jetë i dobishëm për trajtimin e kancerit të gjirit të trefishtë, një nga llojet më agresive dhe më vdekjeprurëse të kancerit të gjirit. Kështu thonë studiuesit e Klinikës Mayo në një studim të botuar në "Journal of Clinical Investigation".
"Është shumë i nevojshëm identifikimi i opsioneve shtesë të trajtimit për kancerin e gjirit negativ të trefishtë. Studimi tregon se mund të përfitojmë nga shumë barna të miratuara nga FDA-ja duke zgjeruar përdorimin e tyre, duke kuptuar më mirë mekanizmat e funksionimit dhe duke i zbatuar ato te tumoret e tjera", thotë Liewei Wang, nga Klinika Mayo, që udhëhoqi grupin e punës.
Në këtë studim, studiuesit kanë zbuluar se bari 5-aza-2'-deoksicitidine (decitabine) mund të pengojë në mënyrë të konsiderueshme rritjen e tumoreve negative të trefishta të gjirit, efekt ky që ishte i pranishëm edhe në tumoret rezistente ndaj kimioterapisë. Përgjigjja varej nga prania e disa proteinave kritike, metiltransferazat e ADN-së, të cilat janë të pranishme vetëm në një grup të karcinomave gjinore negative të trefishta. Kjo veçanti gjithashtu siguron një mënyrë për të identifikuar cilët pacientë mund të përfitojnë nga kjo terapi. Rezultatet u morën falë një eksperimenti që është pjesë e një studimi të madh ende në zhvillim, i njohur si BEAUTY (Breast Cancer Genome-Guided Therapy), në të cilin u gjeneruan ksenograftet nga pacientët me karcinoma të gjirit të trajtuara me kimioterapi.
Pikërisht te ksenograftet, kërkuesit kanë zbuluar se, njëkohësisht me praninë e metiltransferazës së ADN-së, decitabina ka treguar një efekt mbi karcinomën mamare negative të trefishtë, me një dozë terapeutike të ulët. Dozat e ulëta do të shkaktonin më pak toksicitet dhe japin mundësi për një përdorim më afatgjatë të preparatit, gjë që do të ndihmonte në arritjen e një efikasiteti më të madh terapeutik. Janë në vazhdim plane për të studiuar efektin e decitabinës në një studim klinik perspektiv, të quajtur BEAUTY2, që fokusohet te gratë me karcinomë mamare të trefishtë negative, rezistente ndaj kimioterapisë.
J Clinical Investigation 2018. Doi: 10.1172/JCI97924
https://www.jci.org/articles/view/97924