jan282019
Celiakia. Bioshënjuesi i ri i diagnostikimit dhe ndjekjes, së shpejti, për përdorim klinik
Një studim amerikan i Mayo Clinic i publikuar së fundmi në "Gastroenterology", sugjeron që një ekzaminim i ri i gjakut mund të zëvendësojë së shpejti gastro-duodenoskopinë me biopsi të vileve duodenale, për të vendosur diagnozën e celiakisë (sëmundje autoimune që prek shumë organe dhe nxitet nga mostretja e glutenit tek individët që janë të predispozuar gjenetikisht) dhe për të konfirmuar shërimin e mukozës intestinale pas një diete pa gluten.
Aktualisht, siç është vënë re, diagnoza tek adulti kërkon një kampion gjaku për vlerësimin e antitrupave specifikë për sëmundjen e celiakisë (antitrupa si anti-transglutaminaza IgA dhe antitrupa anti-endomysial) që lidhen me kryerjen e një ezofago-gastro-duodenoskopie (EGDS) me biopsi të nivelit të pjesës sekondare të duodenit.
Udhëzimet e fundit për diagnozën e fëmijëve kanë evidentuar një nëngrup pacientësh te të cilët mund të shmanget. Kjo ka rindezur debatin vitet e fundit ndërmjet ekspertëve të celiakisë mbi nevojën për të ndjekur biopsinë edhe tek adulti në momentin e diagnozës, kur antitrupat rezultojnë pozitivë. Përveç kësaj, është vënë re që pasi kemi krijuar një dietë pa gluten për të ndjekur evoluimin e sëmundjes, doza e antitrupave anti-translutaminazë dhe anti-endomysial nuk lejon dallimin e duhur ndërmjet individëve me dëmtim persistent intestinal dhe atyre te të cilët është arritur një rikthim i plotë i mukozës.
Pra, është ende i hapur debati mbi nevojën për t'iu nënshtruar apo jo sërish EGDS-së për personat me celiaki, gjatë ndjekjes. Duke u nisur nga këto premisa, punimi i Rok Seon Choung-ut, i sapopublikuar, ofron indikacione të rëndësishme të reja. Autorët kanë testuar dobinë e kompleksit tTg-Dgp (translautaminase-deamited gliadin complex, një kompleks peptidesh të sintetizuara të gliadinës së deaminuar dhe transglutaminazës) si shënjues diagnostikues i celiakisë dhe i shërimit të mukozës intestinale gjatë dietës pa gluten. Ky test i ri ka treguar një ndjeshmëri 99% (1% e falsë negativëve) dhe specificitet 100% (0% i falsë pozitivëve) në dallimin e pacientëve me celiaki nga individët e shëndetshëm. Përdorimi i këtij testi si shënjues shërimi i mukozës intestinale gjatë dietës pa gluten, ka paraqitur ndjeshmëri 84% dhe specificitet 95%, në parashikimin e shërimit mukozal.
"Ky studim", komentojnë Fabiana Zingone (Universiteti i Padovës) dhe Edoardo V. Savarino (Universiteti i Padovës dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës Italiane të Gastroenterologjisë dhe Endoskopisë Digjestive), "na orienton drejt përdorimit të një bioshënjuesi të ri të dobishëm, qoftë për qëllime diagnostikuese, qoftë për monitorimin e sëmundjes së celiakisë, që tek individët e zgjedhur, mund të shmangë kryerjen e biopsisë duodenale, qoftë për diagnostikimin, qoftë për monitorimin e pacientëve me celiaki. Megjithatë, përdorimi në praktikën klinike i këtij sistemi të ri ka nevojë për studime të tjera që vlerësojnë fitimin efektiv në terma diagnostikues, në krahasim me përdorimin vetëm të antitrupave edhe në kuptimin e kostove."
Gastroenterology, 2018 Oct 17. doi: 10.1053/j.gastro.2018.10.025. [Epub ahead of print] https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30342033