Shëndetësi

dhj32019

Anemia e qelizave në formë drapri. Kush preket nga kjo sëmundje, humbet më shumë se njëzet vjet jetë

"Anemia e qelizave në formë drapri (SCD) ka pasoja sociale jo vetëm mbi kostot shëndetësore, por edhe përsa i përket vdekshmërisë, të ardhurave dhe cilësisë së jetës". Këtë e ka thënë Sophie Lanzkron (Shkolla e Mjekësisë "Johns Hopkins" në Baltimorë), koordinatore e një studimi të botuar në "JAMA Network Open". "Barra e SCD-së përfshin kostot e drejtpërdrejta mjekësore dhe produktivitetin e humbur, ndërsa të dhënat për lidhjen midis vdekshmërisë, sëmundshmërisë dhe të ardhurave gjatë jetës janë të kufizuara", shkruajnë studiuesit, të cilët së pari verifikuan jetëgjatësinë e pacientëve me SCD, duke llogaritur humbjen e të ardhurave përgjatë jetëgjatësisë, dhe më pas vlerësuan uljen e viteve të jetës të përshtatur me cilësinë (QALY).

Burimet e të dhënave, të mbledhura në periudhën 2017-2018, përfshinin Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Sistemin Kombëtar të Informacionit mbi skrinimin neonatal dhe literaturën shkencore të publikuar. Në përfundim të mbledhjes së të dhënave, grupi SCD përbëhej nga 87,328 vetë dhe pritshmëria e parashikuar e jetës u konstatua të ishte 54 vjet, në krahasim me 76 vjet në grupin e kontrollit.
Por jo vetëm kaq: Jetëgjatësia e rregulluar sipas cilësisë (QALY) ishte 33 vjet përkundrejt 67 dhe të ardhurat e vlerësuara të jetës ishin 1,227,000 dollarë për një pacient me SCD kundrejt 1,922,000 $ për një individ pa SCD, me një humbje prej 695,000 dollarësh për shkak të diferencës 22-vjeçare në jetëgjatësi.
"Analiza vlerësoi vetëm të ardhurat e humbura për shkak të vdekshmërisë së parakohshme, duke mos marrë parasysh shpenzimet e drejtpërdrejta mjekësore ose kostot e tjera sociale prej sëmundshmërisë së shtuar, siç janë ditët e punës të humbura për shkak të aftësisë së kufizuar dhe koha e kaluar në spital", shpjegojnë studiuesit, duke theksuar se, nëse përshtaten me reduktimin e përgjithshëm të cilësisë së jetës, njerëzit me SCD humbasin mbi 3 dekada në drejtim të QALY-t dhe rreth 700,000 dollarë të ardhura gjatë gjithë jetës së tyre, krahasuar me ata pa SCD.

"Këto rezultate sugjerojnë se SCD-ja ka pasoja të rënda për shoqërinë, përveçse për burimet e nevojshme të asistencës mjekësore, duke nënvizuar nevojën për të zhvilluar terapi që janë në gjendje të përmirësojnë morbiditetin dhe vdekshmërinë tek individët që vuajnë nga kjo patologji", përfundon Lanzkroni.


JAMA Network Open 2019. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2019.15374
https://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2019.15374


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC