shk62020
Coronavirusi. Kina shpall rezultatet premtuese të barnave. OBSH: Kujdes, nevojiten teste në shkallë të gjerë
Studiuesit e Universitetit Zhejiang dhe të Institutit të Virologjisë në Vuhan kanë njoftuar rezultatet pozitive të testit të barnave, përkatësisht Abidol e Darunavir dhe Remdesivir dhe klorokinë. Barnat kanë treguar efikasitet në frenimin e coronavirusit 2019-n-CoV in vitro. Bashkësia shkencore ndërkombëtare dhe vetë OBSH-ja bëjnë thirrje për kujdes: efikasiteti i një medikamenti mund të vërtetohet vetëm pas testeve në shkallë të gjerë.
Para disa orësh, burimet kineze publikuan lajmin se një ekip nga Universiteti i Zhejiangut, i udhëhequr nga studiuesja Li Lanjuan, i angazhuar në luftën kundër coronavirusit të ri bëri "një zbulim të rëndësishëm": në testet paraprake të kryera in vitro, barnat Abidol dhe Darunavir treguan se dy barna mund "ta frenojnë efektivisht virusin". Studiuesja tha se kishte sjellë personelin mjekësor të epiqendrës së epidemisë në provincën Hubei dhe shpjegoi se nuk besonte që medikamenti anti-HIV që përdoret aktualisht për të trajtuar personat e infektuar, është me të vërtetë i efektshëm, ndërkohë që ai ka një sërë efektesh anësore. Kështu, ajo rekomandoi që të dy barnat të përfshihen në programin e trajtimit të zhvilluar nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit për trajtimin e pneumonisë nga coronavirusi i ri. Darunaviri është një frenues i proteazës i përdorur kundër HIV-it dhe sipas ekspertëve, është e besueshme që funksionon gjithashtu me coronavirusin e ri, që është një ndër hipotezat e hedhura në fillim të epidemisë.
Nga Kina vjen edhe një raport i dytë për terapitë e tjera të mundshme të identifikuara. Instituti i Virologjisë në Vuhan, që është pjesë e Akademisë Kineze të Shkencave, ka njoftuar se ka verifikuar që dy barna, Remdesivir dhe klorokine, kanë efekte frenuese mbi coronavirusin e ri. Klorokine është medikamenti i indikuar kundër malaries, tashmë i disponueshëm në tregun e brendshëm kinez, ndërsa Remdesivir GS-5734, një medikament i prodhuar nga kompania amerikane Gilead, e cila tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Spitalin e Miqësisë Kinë-Japoni në Pekin për të testuar barin dhe është në një fazë të përparuar të kërkimit klinik për trajtimin e ebolës në Kongo. Instituti Vuhan ka aplikuar për patentimin e zbulimit në vende ose rajone të tjera, në bazë të traktatit të bashkëpunimit të patentave dhe në shënimin e tij, u kërkon industrive të huaja të mos zbatojnë të drejta legjitime për patentat, për të ndihmuar Kinën në betejën kundër epidemisë.
Nga ana tjetër, reagimet e komunitetit shkencor janë të kujdesshme.
"Studimi mbi antimalarikun klorokine është shumë interesant. Problemi është se janë të nevojshme studimet mbi kafshët, para se të nisin eksperimentimet in vitro në praktikën klinike. Ne fillojmë me barnat me një mekanizëm të njohur të veprimit, për të vlerësuar efektivitetin e tyre kundër një mikroorganizmi të ri. Puna është se eksperimentimi te njerëzit nuk është edhe aq i thjeshtë, përveçse nëse e bën atë me një numër të madh njerëzish", komentoi Silvio Garattini, president i Institutit "Mario Negri".