Shëndetësi

mar122020

EKSKLUZIVE: Miliona maska të magazinuara në Kanada, kanë skaduar para shfaqjes së coronavirusit

Allison Martell dhe Moira Warburton

TORONTO, 9 Mars (Reuters) - Miliona maska fytyre të grumbulluara nga Ontario pas shpërthimit të SARS-it, për mbrojtjen e punonjësve të kujdesit shëndetësor gjatë një epidemie të ardhshme kanë skaduar, sipas zyrtarëve dhe dokumenteve rajonale, duke ngritur pyetje në lidhje me gatishmërinë e rajonit më të populluar të Kanadasë për t'u përballur me përhapjen e coronavirusit.

Pas kulmimit të epidemisë SARS në Kanada në vitet 2002 dhe 2003, trembëdhjetë vjet më parë, Ontario grumbulloi rreth 55 milionë maska N95 dhe pajisje të tjera mjekësore. Por, zyrtarët rajonalë kanë konfirmuar se maskat e grumbulluara e kanë kaluar datën e skadencës dhe i anashkaluan pyetjet se sa maska, përfshirë ato të skaduara, kanë mbetur.
Zyrtarët e shëndetit publik kanë thënë se maskat mund të jenë më pak efektive përtej datës së skadencës, së përcaktuar nga prodhuesi. Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në të kaluarën kanë rekomanduar përdorimin e maskave të skaduara vetëm në situata kur ka "kriza të mungesës së tyre".

Ofruesit e kujdesit shëndetësor në Ontario janë shprehur të shqetësuar për mungesat në pajisje mbrojtëse siç janë maskat, duke marrë parasysh rritjen e pritshme të kërkesës gjatë një shpërthimi si ky i coronavirusit të ri që nisi në Kinë dhe që tashmë është përhapur në pjesë të ndryshme të botës. Kanadaja ka raportuar më shumë se 70 raste të prekura nga coronavirusi, si dhe një vdekje. Spitaleve kanadeze u është kërkuar nga zyrtarët e rajonit që si politikë standarde të ruajnë një furnizim katërjavor me pajisje.

Ontario, i cili përfshin qytetin më të madh të Kanadasë, Toronton, tha se në vitin 2007 do të blinte 55 milionë maska N95 dhe pajisje të tjera mjekësore për t'u përgatitur për epidemitë e ardhshme. Një raport i auditimit të përgjithshëm të provincës, i përfunduar në dhjetor 2017, zbuloi se më shumë se 80 për qind e këtij stoku kishte skaduar.
Zyrtarët nuk thanë se sa maska kishin mbetur stok.

"Është e vërtetë se maskat N95 të blera 13 vjet më parë, kanë skaduar", tha ministri i Shëndetësisë së Ontarios në një prononcim për Reuters.

Kur u pyet nëse zyrtarët e krahinës kanë ndonjë maskë në dispozicion, ministri nuk u përgjigj drejtpërdrejt. Ai tha se organizatat shëndetësore po marrin dërgesat e tyre të zakonshme të furnizimit, duke shtuar: "Ne po punojmë me ta dhe partnerët tanë të zinxhirit të furnizimit për t'u mundësuar qasjen e duhur në furnizime, ndërkohë që vazhdojnë të përgjigjen në mënyrë efektive ndaj COVID-19", sëmundjes së shkaktuar nga coronavirusi.

Presidenti i Shoqatës së Infermierëve të Ontarios, Vicki McKenna, tha në një email: "Ne besojmë se ekziston një problem furnizimi, por zyrtarët e qeverisë nuk do ta konfirmojnë... Kjo pyetje bëhet në çdo takim me zyrtarët e ministrisë."

Përhapja e coronavirusit ka shkaktuar një mungesë globale të maskave respiratore N95. Për shembull, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se kanë rreth 12 milionë, por iu duhen afërsisht 300 milionë.
Zyrtarët kanadezë kanë thënë se ata janë të përgatitur të përballen me coronavirusin e ri për shkak të mësimeve të marra nga shpërthimi SARS (sindroma e rëndë akute respiratore), që shkaktohej nga një tjetër coronavirus. Në vitet 2002 dhe 2003, SARS-i vrau 44 vetë në zonën e Torontos, pas një sërë dështimesh të hospitalizimit dhe të shëndetit publik.

NUK KA BUXHET PËR TË MENAXHUAR STOKUN
Që nga viti 2017, rezerva përgatitore e grumbulluar nga Ontario përfshinte 26,000 paleta pajisjesh: respiratorë, mbrojtëse fytyre, shiringa e të tjera, por askush nuk ishte siguruar që furnizimet të dërgoheshin në spitale para skadimit të tyre, në mënyrë që më tutje, stoku të zëvendësohej me të rejat, sipas raportit të përgjithshëm të auditimit.

"Ministria na informoi se buxheti i saj për këto furnizime, jepte mundësi vetëm për ruajtjen dhe jo për menaxhimin e tyre", thuhet në raport. Kostot e ruajtjes ishin mbi 3 milionë dollarë në vit dhe ministria kishte filluar t'i hidhte furnizimet, thuhet në raport.

Disa respiratorë të skaduar po ruhen, pasi mund të jenë ende të përdorshëm. Në vitin 2017, CDC-ja testoi maskat e stokut dhe zbuloi se shumë modele funksiononin në mënyrë efektive edhe vite pas skadimit të tyre.

"Po dëgjojmë nga ju përmes adresës sonë të postës elektronike për shqetësimet në lidhje me... furnizimin", shkroi ministri i Shëndetësisë i Ontarios në një dokument të 12 shkurtit dërguar organizatave të kujdesit shëndetësor. "Ne kemi besim se kemi një inventar të mjaftueshëm në të gjithë rajonin për t'iu përgjigjur situatës në terren sot".
Ai gjithashtu tha se ishte në dijeni se furnizimet e përfshira në rezervat e shumë organizatave të tjera shëndetësore kishin skaduar. Rezervat e vetë provincës nuk u përmendën.

Kanadaja ka një rezervë furnizimesh federale të urgjencës, përshkruar nga Shefja e Mjekësisë Theresa Tam, se nevojitet kryesisht për "ngjarje të rralla me ndikim të lartë".
E pyetur gjatë një konference për shtyp të premten se sa maska posedon qeveria federale, Tami nuk pranoi ta thotë, duke shtuar se furnizimet kryesore mjekësore, siç janë maskat N95, janë më shumë përgjegjësi krahinore sesa federale, megjithëse qeveria federale mund të koordinojë blerjet.

Në një letër të hënën drejtuar kryeministrave të provincës, kryeministri Justin Trudeau dhe zëvendës kryeministri Chrystia Freeland thanë se qeveria federale "tashmë po udhëheq një prokurim të madh të pajisjeve mbrojtëse personale".

British Columbia, e cila së bashku me Ontarion ka raportuar pjesën më të madhe të rasteve të coronavirusit në Kanada, tha se furnizimi i saj me maska është i mjaftueshëm.
"Ne kemi pasur një stok pandemie për shumë vite. Në bazë të tij qëndron përdorimi i përhershëm në objekte të ndryshme të kujdesit shëndetësor, plus një sasie shtesë për të mbuluar një pandemi të gripit", tha zyrtari i krahinës për shëndetësinë, Bonnie Henry.


Burimi: NASDAQ


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC