pri32020
Antidiabetiku i thjeshtë redukton ndërlikimet e terapisë steroide afatgjatë
Një studim i fazës 2 të Universitetit "Queen Mary" të Londrës, financuar nga Barts Charity dhe botuar në "The Lancet Diabetes & Endocrinology" ka arritur në përfundimin se antidiabetiku metforminë mund të zvogëlojë thjesht dhe në mënyrë ekonomike efektet e pafavorshme të trajtimit me steroide. Studiuesit analizuan rezultatet e mbi 50 pacientëve jo diabetikë në terapi steroide dhe zbuluan se ata që ishin trajtuar me metforminë, kishin një ulje prej 30% të shkallës së infeksioneve dhe shtrimeve në spital, në krahasim me grupin e placebos.
Por jo vetëm kaq: trajtimi me metforminë forcon efektet anti-inflamatore të glukokortikoideve dhe ka një efekt pozitiv në treguesit e ndryshëm kardiovaskularë, metabolikë dhe kockorë. Bashkautorja Marta Korbonits, profesore e endokrinologjisë në Barts dhe Shkolla e Mjekësisë dhe Stomatologjisë në Londër, komenton: "Këto rezultate çuditërisht pozitive sugjerojnë që trajtimi me një medikament jo shumë të kushtueshëm dhe të disponueshëm si metformina mund të përmirësojë gjendjen klinike të pacientëve gjatë terapisë me glukokortikoide, madje edhe në mungesë të një diabeti të deklaruar".
Sipas autorëve, këto të dhëna, nëse konfirmohen, mund të kenë shumë ndikim në numrin e madh të pacientëve në trajtimin afatgjatë me glukokortikoide, duke përmirësuar si komplikacionet që lidhen me trajtimin, ashtu edhe në prognozën kardiovaskulare. "Steroidet përdoren për të trajtuar një gamë të gjerë gjendjesh, nga kanceri tek artriti reumatoid dhe rezultatet premtuese të këtij studimi tregojnë se si hulumtimi novator mund të na ndihmojë të kapërcejmë pengesat me të cilat përballen pacientët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor. Në këtë rast, jep edhe mundësi të reja të thjeshta dhe të përballueshme për trajtim", përfundon Korbonits.
Lancet Diabetes Endocrinol. 2020. Doi: 10.1016/S2213-8587(20)30021-8
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/32109422