Shëndetësi

maj52021

Refluksi gastroezofageal. Përfitimet nga fiku i detit dhe nga ulliri

Sëmundja e refluksit gastroezofageal është një çrregullim që prek 40% të popullsisë së botës. Një studim ka vlerësuar efektin e dobishëm të një ekstrakti të fikut të detit dhe të ullirit, mbi këtë gjendje...

 

Sëmundja e refluksit gastroezofageal është një çrregullim i lëvizshmërisë gastrointestinale që rezulton nga refluksi i përmbajtjes së stomakut në ezofag ose në zgavrën e gojës, duke shkaktuar simptoma ose komplikacione. Simptomat tipike të sëmundjes së refluksit janë urthi dhe regurgitimi i përmbajtjes gastrike në orofaring. Urthi është një gjendje e pakëndshme që mund të rrezatohet prapa sternumit dhe në qafë, zakonisht është më e keqe pas ngrënies ose kur jeni në pozicionin shtrirë dhe mund të lehtësohet nga barnat antiacide. Mund të përkeqësohet me regurgitim, i cili është rikthimi i përmbajtjes së stomakut në gojë ose në hipofaring. Dhimbja epigastrike mund të jetë gjithashtu një simptomë e sëmundjes; simptomat ekstraezofageale përfshijnë erozione dentare, laringit, kollë dhe astmë. Sëmundja e refluksit gastroezofageal është një gjendje kronike me prevalencë të lartë në vendet perëndimore. Mekanizmat kryesorë të përfshirë janë episodet kalimtare të relaksimit të sfinkterit të poshtëm të ezofagut dhe një pakësim i presionit të sfinkterit të poshtëm të ezofagut. Barnat që përdoren aktualisht janë efektive te simptomat e refluksit, por vetëm për sa kohë që administrohen, sepse nuk e ndryshojnë barrierën e refluksit.

 

Problemi i të ushqyerit

Në përgjithësi, mendohet se disa nutrientë ose ushqime shtojnë frekuencën e simptomave të GERD-it, kështu që mjekët rekomandojnë ndryshime në dietë dhe disa pacientë shmangin ushqimet që mund të krijojnë probleme. Për shembull, marrja e yndyrnave rrit perceptimin e simptomave të refluksit. Kafja dhe çokollata, të marra rregullisht, çojnë në përkeqësimin e refluksit gastroezofageal dhe rrisin ekspozimin e ezofagut të poshtëm ndaj acideve. Ushqimet pikante mund të shkaktojnë urth, por mekanizmi i saktë nuk dihet ende. Birra dhe vera bëjnë që simptomat të përkeqësohen kryesisht në orën e parë pasi pihen. Për ushqime të tjera,  siç janë të skuqurat ose pijet e gazuara, të dhënat mbi refluksin gastroezofageal janë të pakta. Në të njëjtën mënyrë, ka pak të dhëna për llojin e dietës që duhet të ndiqet për të përballuar situata të tilla patologjike; megjithatë, duket se mund të jenë të dobishme, si dieta mesdhetare, ashtu edhe një dietë me përmbajtje shumë të ulët karbohidratesh. Përsa u përket praktikave të lidhura me dietën, të dhëna të qëndrueshme kanë treguar se një "interval i shkurtër vakt-gjumë" favorizon episodet e refluksit, kështu që disa autorë rekomandojnë që darka të jetë së paku katër orë para gjumit; prandaj shmangia e pozicionit shtrirë do të ndihmonte në përmirësimin e gjendjes shëndetësore. Të gjitha këto rekomandime duhet të marrin në konsideratë peshën e pacientit, sepse disa metaanaliza kanë treguar një lidhje pozitive midis rritjes së indeksit të masës trupore dhe sëmundjes nga refluksi gastroezofageal.

 

Fiku i detit dhe ulliri

Parehatia gastrointestinale, e karakterizuar nga sëmundje, mes të cilave sëmundja nga refluksi gastroezofageal, është një çrregullim që prek 40% të popullsisë botërore. Një studim interesant, me përzgjedhje rastësore, dyfish i verbër, i kontrolluar nga placebo, vlerësoi efektin e një ekstrakti të standardizuar të Opuntia ficus indica L. dhe Olea europaea L. për 8 javë, te pacientët me parehati gastrointestinale. Ekstraktet prodhojnë një përfitim të rëndësishëm sepse me një trajtim të shpejtë, efektiv dhe të toleruar mirë është e mundur të përmirësohet cilësia e jetës së pacientëve duke ulur ndjeshëm simptomat, siç dëshmohet nga pyetësorët e Indeksit të Cilësisë Gastrointestinale të Jetës (GIQLI) dhe Shkalla e Vlerësimit të Simptomave GERD (GSAS), të përpiluar nga pacientët, të cilët kanë nxjerrë në dritë, me saktësi ekstreme, efektivitetin e këtij trajtimi.


Fabio Milardo

Burimet:
Phytother Res. 2021;10.1002/ptr.7074. [Published online ahead of print, 2021 Mar 16].


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC