maj142021
Alergjitë e stinës. Prof. Mehmet Hoxha: Pacientët alergjikë, më pak të prekur nga Covid-19
Pacientët alergjikë duket se kanë qenë ata më me fat në këtë situatë epidemie nga Covid-19. Mjeku alergolog Mehmet Hoxha shpjegon se ndër pacientët alergjikë nuk është shënuar asnjë fatalitet. "Ka pasur ndonjë rast të rrallë që është prekur nga virusi i Covid-19, por edhe ata e kanë kaluar në formën më të lehtë të mundshme. Në fakt, kjo shpjegohet edhe me faktin se në mushkëritë e një pacienti kronik me alergji, receptori që përthith virusin e Covid-19 është fare i ulët. Ndaj, këta pacientë kanë qenë pothuajse fare të pa ekspozuar ndaj virusit", shprehet prof. Hoxha.
Por, si mund të dallohet kur një pacient alergjik është prekur ose jo nga virusi i Covid-19? Profesor Hoxha shpjegon se të sëmurët kronikë mund ta dallojnë edhe vetë kur e kanë kollën të shkaktuar nga alergjia.
"Në fakt, të sëmurët kronikë dinë sezonin kur iu rëndohet gjendja shëndetësore dhe dinë medikamentin që marrin. Më problem janë pacientët e rinj me alergji. Por, gjithsesi, nëse kolla nuk shoqërohet me temperaturë, dhimbje trupi e këputje, atëherë është simptomë e alergjisë. Nëse kolla shoqërohet me temperaturë pastaj, kuptohet që lidhet me situatën Covid, ose edhe ndonjë virozë të mundshme", shprehet prof. Hoxha.
Me ardhjen e pranverës shtohet prania e poleneve në ajër, çka e vështirëson gjendjen shëndetësore të njerëzve alergjikë, sidomos kur ka edhe shumë diell. Por, prania edhe e virusit Covid-19 i ka panikuar edhe më shumë pacientët kronikë me alergji, pasi druajnë se mund të kenë rënë në kontakt me virusin.
Alma Demiraj