nën92021
"Green Pass" për të frekuentuar lokalet. Disa biznese: Dakord për "Green Pass", por të hiqet ora policore
Shqipëria ka një trend në rritje të përhapjes së virusit të Covid-19, ashtu si edhe në vende të tjera, ndërkohë që mbulimi vaksinal nuk është ai që pritej. Për të frenuar infektimet, por nga ana tjetër për të rritur numrin e të vaksinuarve, është paralajmëruar se në Shqipëri do të nisë të funksionojë "Green Pass" nëpër lokale, pra, vetëm nëse je vaksinuar kundër Covid-it, mund të frekuentosh baret dhe restorantet.
Kjo u deklarua nga ministrja e Shëndetësisë gjatë një seance parlamentare, por shkaktoi reagime të biznesit të cilët thonë se ''Green Pass"-i i penalizon.
Disa prej pronarëve të lokaleve thonë se janë dakord me këtë kufizim të ri, por sipas tyre, kjo duhet shoqëruar me heqjen e orës policore.
"Nëse do të ketë "Green Pass", ç'kuptim ka më pas ora policore? Nëse ne do të pranojmë vetëm persona të vaksinuar, përse një person i vaksinuar nuk mund të konsumojë diçka në orët e vona të natës? Mendoj se kjo mund të shërbejë edhe si nxitje për vaksinim. Tek e fundit, kështu ka ndodhur edhe në vende të tjera", shprehet Redi Panariti, i cili menaxhon një lokal në zonën e ish-Bllokut.
Një nga anëtarët e komitetit teknik, dr. Skënder Brataj thotë se, edhe nëse merret vendim, "Green Pass"-i do të jetë një masë e përkohshme. Kur flasim për përforcim masash, nuk mund të heqim një tjetër.
Megjithatë, ende nuk ka një vendim zyrtar për vendosjen e "Green Pass"-it në Shqipëri, edhe pse po diskutohet nga ekspertët.
Alma Demiraj