dhj202021
Covid. Alarmi nga Guido Rasi: "Nëse Omicroni i mund vaksinat, kjo është një pandemi e re"
"Jemi pranë rikthimit në zonën portokalli. Garë me kohën, për dozat e treta", është shprehur konsulenti i Komisionerit Figliuolo.
"Varianti Omicron mund t'i ndryshojë plotësisht kartat e lojës. A jemi afër zonës portokalli? Kam frikë se po. Edhe green pass-i mund të ndryshojë brenda muajit". Sot, në Itali, menaxhimi i urgjencës Covid është i lidhur me identikitin e variantit Omicron dhe në veçanti, me efektivitetin e vaksinave.
Kështu u shpreh në "Mezz'ora in +" Guido Rasi, ish-drejtor i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) dhe sot, konsulent i komisionerit për urgjencën Covid-19 Francesco Paolo Figliuolo. "A jemi afër zonës portokalli? Kam frikë se po. Po vazhdon rritja e hospitalizimeve, pa dyshim. Duhet të kuptojmë nëse është një përparim i variantit Delta", apo nëse varet nga varianti Omicron. "Kjo është një garë me kohën, e lidhur me dozën e tretë, që është e rëndësishme të bëhet menjëherë. Fushata e vaksinimit po ecën mirë, makineria është në punë".
"Po marrin përgjigje dy pyetje për Omicronin, edhe pse ende jo përfundimtare. Cila është shkalla e sëmundjes, me pasojë barrën në pavijonet e spitalit? Dhe, sa do të mund ta shmangë imunitetin e krijuar nga vaksina?", thotë Rasi. A duhet të supozojmë se vaksinat do të dalin jashtë loje? "Duhet ta parashikojmë patjetër atë skenar. Vëzhgimet e para shkencore që vijnë nga Imperial College thonë se 2 doza të vaksinës krijojnë 20-50% mbrojtje ndaj sëmundjes simptomatike. Doza e tretë, të paktën tani, mbron 50 deri në 70% nga format simptomatike. Ende nuk është e qartë se sa mbron nga infeksioni. Nuk e dimë nëse vaksinat aktuale janë në gjendje të parandalojnë transmetimin; po flasim për Omicronin".
Rasi thekson rëndësinë e sekuencimit, i cili aktualisht në Itali iu është besuar 70 laboratorëve. "Janë disi të paktë, mblidhen pak të dhëna dhe ngadalë. Rrezikojmë të informohemi shumë vonë" se ku është varianti Omicron "ose të marrim vendime shumë vonë".
Holanda ka nisur karantinën. Në Britaninë e Madhe, po shqyrtohen masa të tjera kufizuese.
"Para se të arrijmë në karantinë, në kuptimin më të rreptë dhe më dramatik të aplikimit të saj, nevojiten maska në mjedise të hapura, distancim, shmangie e tubimeve: më në fund, pashë një kulturë të menaxhimit të fluksit", thotë Rasi. "Nëse do të shtynim fort drejt këtyre aktivitete, karantina mund të ishte më pak e rëndë", thotë ai, duke iu referuar mundësisë së modifikimit të masave. "Në mungesë të të dhënave, megjithatë, e vetmja mundësi është ndalimi i barrierës fizike të transmetimit".
Flitet për futjen e tamponëve edhe për personat e vaksinuar në raste të caktuara. "Nëse rezulton se varianti Omicron i thyen vaksinat, është e qartë se ky green pass nuk është më i vlefshëm. Sot, green passi është i vlefshëm. Pas 15 ditësh mund të jetë më pak, pas një muaji mund të rimendohet. Nëse Omicroni e mund plotësisht vaksinën, jemi në prani të një virusi tjetër. Nëse hidhemi nga varka, nuk është e thënë që do të shpëtojmë dhe do të duhet të bëjmë gjëra të tjera për të shpëtuar veten".
Blerina Çizmja
Burimi: adnkronos.it