Shëndetësi

maj42022

FDA-ja ndalon cigaret me mentol. Ja, çfarë parashikohet të ndodhë

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) ka njoftuar se do të propozojë ndalimin e cigareve me mentol dhe purove me aromë. Propozimi do të shërbejë kryesisht për kufizimin e pirjes së duhanit në grupet më të reja të popullsisë.

Pirja e duhanit është shkaku numër një i parandalueshëm i vdekjeve dhe i sëmundjeve në botë. Mentoli iu shtohet cigareve sepse krijon një ndjesi ftohtësie që zbut ashpërsinë e tymit të cigares, duke e bërë më të lehtë fillimin e pirjes së duhanit dhe duke lehtësuar varësinë; të gjitha këto janë arsyet pse ekspertët e shëndetit publik kanë kërkuar ndalimin e mentolit. Cigaret me mentol joshin shumë të rinj që të fillojnë të pinë duhan, për shkak të shijes së tyre të këndshme, duke nisur një rrugë që mund të çojë në varësi nga nikotina dhe drejt sëmundjeve dobësuese. Për komisionerin e FDA-së, Robert Califf, heqja e cigareve me mentol i jep fund kësaj rruge dhe ndalimi i purove është gjithashtu i nevojshëm për shkak të një tendence që kanë disa të rinj për të parapëlqyer ato, kundrejt cigareve. "Në thelb, këto veprime të guximshme synojnë të shpëtojnë qindra mijëra jetë. Çdo vit 480,000 jetë humbasin para kohe nga një sëmundje që i atribuohet pirjes së duhanit", tha Califf-i.

Për më shumë se një dekadë, ekspertë të shëndetit publik, shkencëtarë, grupe të të drejtave civile dhe organizata kundër duhanit, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, u kanë bërë thirrje qeverive të ndalojnë cigaret me mentol. Përveç Kanadasë, më shumë se 30 vende të tjera në botë kanë ndaluar cigaret me mentol, duke përfshirë të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Një studim i ri parashikon se ky ndalim në SHBA i cigareve me mentol mund t'i bëjë më shumë se 1.3 milionë duhanpirës që ta lënë duhanin. Studiuesit nga Universiteti i Vaterlosë e kanë kryer studimin në bashkëpunim me ekipe nga Universiteti i Torontos dhe shtatë universitete amerikane. Për të bërë projeksionin, ata vlerësuan ndikimin e ndalimit në Kanada të cigareve me mentol që nga viti 2017, duke kombinuar të dhënat nga Projekti Ndërkombëtar i Vlerësimit të Politikave të Kontrollit të Duhanit (ITC Project) dhe Studimi i Ndalimit të Mentolit në Ontario, i cili intervistoi njerëz para dhe pas ndalimit. Duhanpirësit e purove me mentol në Kanada e lanë duhanin në një shkallë prej 22.3%, krahasuar me 15.0% të joduhanpirësve të mentolit. Diferenca prej 7.3 për qind u vlerësua statistikisht e rëndësishme.

Studimi zbuloi se rreth 35% e duhanpirësve amerikanë përdorin cigare me mentol, prandaj ndalimi do t'i bënte 1,337,988 amerikanë që të reduktonin, në mos të eliminonin plotësisht, numrin e cigareve të tymosura.
"Këto gjetje ofrojnë bazën që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të marrin në konsideratë ndalimin e cigareve me mentol për të vlerësuar ndikimin e mundshëm të ndalimeve të tilla në reduktimin e duhanit", tha Michael O. Chaiton, shkencëtar në Qendrën për Varësinë dhe Shëndetin Mendor dhe drejtor i kërkimit në Njësinë e Kërkimit të Duhanit në Ontario.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC