kor222022
Sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti janë më të shpeshta në tre muajt e parë post-COVID
Sipas një studimi të ri të botuar në PLOS Medicine, njerëzit e infektuar nga COVID-19 kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare dhe diabet, veçanërisht tre muaj pas infektimit. "Përdorimi i një databaze të madhe kombëtare të të dhënave elektronike mjekësore në lidhje me kujdesin parësor na ka lejuar të karakterizojmë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit melit gjatë fazave akute të COVID-19 dhe në ato afatgjata pas infeksionit", thotë autorja kryesore e studimit Emma Rezel-Potts, King's College, Britani. Studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të më shumë se 428,000 pacientëve me COVID-19 dhe të njëjtin numër individësh kontrolli. Analiza tregoi se pacientët me COVID-19 kishin 81% më shumë diagnoza të diabetit në katër javët e para pas kontraktimit të virusit dhe se rreziku i tyre mbeti 27% i lartë deri në 12 javë pas infektimit nga virusi.
COVID-19 gjithashtu është shoqëruar me një rritje gjashtëfish të diagnozave kardiovaskulare në përgjithësi, kryesisht për shkak të zhvillimit të embolisë pulmonare dhe rrahjeve të parregullta të zemrës. Rreziku për t'u ridiagnostikuar me sëmundje kardiovaskulare filloi të bjerë pesë javë pas infektimit dhe u kthye në nivele fillestare ose edhe më të ulëta brenda 12 javëve pas infektimit, deri në një vit. Studiuesit theksojnë se infeksioni nga COVID-19 lidhet me të vërtetë me një rrezik në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit, por që për fat të mirë nuk duket të ketë një rritje afatgjatë të incidencës së këtyre sëmundjeve për pacientët që kanë kontraktuar virusin.
Bazuar në këto gjetje, ata u bëjnë thirrje mjekëve që të këshillojnë pacientët e tyre që janë duke u shëruar nga COVID-19 të reduktojnë rrezikun e diabetit përmes një diete të shëndetshme dhe aktivitetit fizik. "Informacioni i siguruar nga ky studim shumë i madh i bazuar në popullatë mbi zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit pas COVID-19 do të jetë jashtëzakonisht i vlefshëm për mjekët që menaxhojnë miliona njerëz që kanë pasur infeksionin. Është e qartë që për të paktën tre muajt e parë pas sëmundjes kërkohet një vigjilencë e veçantë", përfundojnë autorët.
PLOS Medicine 2022. Doi: 10.1371/journal.pmed.1004052
http://doi.org/10.1371/journal.pmed.1004052