kor282023
Pijet freskuese dhe lidhja shkak-pasojë me mbipeshën dhe obezitetin tek adoleshentët
Konsumimi i përditshëm i pijeve freskuese lidhet me rritjen e prevalencës së mbipeshës dhe obezitetit në mesin e studentëve adoleshentë, sipas një studimi të botuar në "JAMA Network Open".
"Konsumimi i pijeve freskuese lidhet me shtimin në peshë te fëmijët dhe adoleshentët, por lidhja e saktë midis konsumit të këtyre pijeve dhe prevalencës së mbipeshës dhe obezitetit tek adoleshentët ende nuk është kuptuar plotësisht", thotë Huan Hu nga Instituti Kombëtar i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në Kanagawa, Japoni, autori kryesor i studimit.
Studiuesit analizuan 405,528 adoleshentë të regjistruar në shkollë, mosha mesatare e të cilëve ishte 14 vjeç, duke përdorur të dhënat në nivel nacional dhe individual të tre studimeve ndërseksionalë në të cilët ishin përfshirë 107 vende dhe rajone, ndër të cilët 65 me të ardhura të ulëta dhe të mesatare dhe 42 vende me të ardhura të larta.
Prevalenca e mbipeshës dhe obezitetit në mesin e studentëve adoleshentë varionte nga 3.3% në Kamboxhia në 64.0% në Niue, dhe prevalenca e studentëve adoleshentë që konsumonin pije freskuese një ose më shumë herë në ditë varionte nga 3.3% në Islandë në 79.6% në Niue. Ekspertët gjetën edhe një korrelacion pozitiv midis prevalencës së konsumit ditor të pijeve freskuese dhe prevalencës së mbipeshës dhe obezitetit.
Analiza e kryer nëpërmjet të dhënave në nivel individual, tregoi gjithashtu një lidhje statistikisht domethënëse midis konsumit ditor të pijeve freskuese dhe mbipeshës dhe obezitetit. Studiuesit kanë raportuar disa mekanizma të mundshëm që mbështesin lidhjen midis konsumit të pijeve freskuese dhe zhvillimit të mbipeshës dhe obezitetit. Një nga këto ka të bëjë me faktin se konsumimi i pijeve freskuese, të cilat zakonisht përmbajnë nivele të larta të sheqerit të shtuar, mund të çojë në marrjen e tepërt të energjisë dhe për rrjedhojë të nxisë edhe shtimin në peshë. Për më tepër, pijet freskuese mund të japin ndjesinë e ngopjes dhe të çojnë në një marrje më të lartë të energjisë në vaktet e mëvonshme, dhe për rrjedhojë të ndikojnë edhe te shtimi në peshë.
"Gjetjet tona, së bashku me prova të tjera ekzistuese, sugjerojnë se reduktimi i pijeve freskuese duhet të jetë një prioritet pë rtrajtimin e mbipeshës dhe obezitetit tek adoleshentët", përfundojnë autorët.
JAMA Network Open 2023. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2023.25158
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2023.25158