qer42024
Me nxehtësinë po rritet edhe numri i lindjeve të parakohshme
Sipas një studimi të publikuar në JAMA Network Open, është zbuluar një lidhje e rëndësishme ndërmjet valëve të të nxehtit dhe rritjes së numrit të lindjeve të parakohshme dhe të përshpejtuara në SHBA. Në këtë studim, të koordinuar nga Lyndsey A. Darrow, në Universitetin e Nevadës, u analizuan të dhënat e 50 zonave metropolitane më të mëdha të SHBA-ve në vitet 1993-2017. Rëndësia e këtyre rezultateve qëndron në faktin që lindjet e parakohshme janë një ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore dhe të problemeve afatgjata shëndetësore.
Në studim janë analizuar të dhënat e lindjes të grumbulluara nga Sistemi Kombëtar i Statistikave Jetësore dhe të dhënat e përditshme të temperaturave nga Daymet, me një rezolucion prej 1 km2. Valët e të nxehtit janë përcaktuar si periudha gjatë të cilave, temperaturat e tejkalonin përqindjen 97.5o të shpërndarjes specifike të zonës metropolitane për të paktën katër ditë rresht.
Gjatë periudhës së studimit, u analizuan 2.153.609 lindje të parakohshme dhe 5.795.313 lindje të përshpejtuara. Nga të dhënat, u zbulua një lidhje e qartë dozë-përgjigje ndërmjet kohëzgjatjes dhe intensitetit të valëve të të nxehtit dhe rritjes së numrit të lindjeve të parakohshme dhe të përshpejtuara. Për shembull, rritja e temperaturës me çdo gradë celcius mbi përqindjen 97.5o lidhej me 1% shtim të numrit të lindjeve të parakohshme dhe të përshpejtuara.
"Valët e të nxehtit përbëjnë një kërcënim të madh për shëndetin publik dhe zbulimet tona evidentojnë rëndësinë e strategjive të zbatimit dhe zbutjes për mbrojtjen e popullatave me imunitet të dobët", shpjegon Darrow.
Ky studim, ka nxjerrë në pah edhe ndikimin e njeriut në ndryshimin klimatik dhe mund t'i ndihmojë politikëbërësit dhe publikun në të kuptuarit e rëndësisë së veprimeve kundrejt përballimit të kësaj krize.