jan102015
Ja si ndikon dieta mesdhetare në ADN-në tonë
Sipas një studimi të botuar së fundi në ''British Medical Journal'' dieta mesdhetare asociohet me telomere më të gjata, gjë që përkthehet në më shumë mundësi për jetëgjatësi. Telomeret janë një lloj kapuçi i vendosur në ekstremitetet e kromozomeve, të cilat e mbrojnë materialin gjenetik nga prishja'', shpjegon Immaculata De Vivo profesoreshë e asociuar në "Harvard Medical School" (Boston) dhe koordinatore e studimit.
Këto ekstremitete të veçanta shkurtohen gradualisht me kalimin e kohës çdo herë që qelizat ndahen, e për këtë arsye konsiderohen si shënues të vërtetë të plakjes: telomeret më të shkurtër janë tregues të një jete më të shkurtër, si dhe të mundësive për zhvillimin e sëmundjeve tipike të plakjes.
"Gjatësia e telomereve dhe shpejtësia e shkurtimit ndryshojnë shumë nga individi në individ, por e dimë se faktorët si stresi oksidativ dhe inflamacioni mund të përshpejtojnë procesin reduktimit të gjatësisë së tyre", thotë autorja e cila shton se edhe faktorët që lidhen me mënyrën e jetesës dhe të ushqyerit mund të ndikojnë në "jetën" e telomereve.
"Meqë dieta mesdhetare përbëhet nga ushqime të pasura me substanca anti-oksiduese dhe anti-inflamatore, mendojmë se ndjekja e një diete të tillë mund të ndikojë pozitivisht në gjatësinë telomereve", thotë De Vivo. Dhe për të vërtetuar këtë hipotezë, studiuesit amerikanë kanë mbledhur të dhënat e 4.676 grave në moshë të mesme dhe me shëndet të mirë, të përfshira në "Nurses' Health Study", një studim që vazhdon nga viti 1976.
Në sajë të disa pyetësorëve, studiuesit përcaktuan se me sa besnikëri pjesëmarrëset e ndiqnin dietën mesdhetare, ndërsa me eksperimente të biologjisë molekulare studiuan gjatësinë e telomereve.
"Të dhënat e marra tregojnë se sa më shumë të aplikohet dieta mesdhetare, aq më e madhe është gjatësia e telomereve", thotë De Vito e cila nënvizon se përkimi i të dyjave nuk vlen vetëm në rast se merren në konsideratë ushqimet individuale të dietës mesdhetare. "Kjo vë në dukje faktin se efekti pozitiv mbi shëndetin jepet nga dieta mesdhetare si një e tërë dhe jo nga një ushqim i vetëm, sado i shëndetshëm të jetë", përfundon studiuesja.