maj42017
Manferrat e Gojit, të sigurta dhe efikase
Shitja e frutave të thata po përjeton një moment të artë, në sajë edhe të formateve dhe zgjidhjeve që ofrohen: mund të konsumohen për mëngjes, mund të integrohen në dieta që përjashtojnë disa ushqime e që kanë nevojë për burime ushqimore të diversifikuara për të garantuar përmbushjen e nevojave të organizmit, apo edhe si si snack (vakte të shpejta) për të ndërprerë urinë. Përmbajnë karbohidrate, fibra, antioksidantë si flavonolet, acide fenolike, karotenoide dhe vitamina në formë të përqendruar në krahasim me frutat e freskëta. Shumë studime pajtohen me faktin se një konsum i rregullt i një sasie të përshtatshme mund të favorizojë reduktimin e glicemisë dhe riskut kardiovaskular.
Mes produkteve të reja të shëndetshme, manaferrat e Gojit (Lycium barbarum) ushqim tradicional në vendet aziatike të konsumuara edhe për qëllime mjekësore, janë një referencë shumë e suksesshme. Shiten të thata ose edhe të shtuara në produkte të tjera, duke regjistruar një xhiro të ardhurash të barabartë me 5.1 milionë euro në gjashtë muajt e parë të 2016-s. Përballë një suksesi të tillë tregtar, duket me vend të pyesim nëse cilësia e këtyre produkteve është gjithnjë konform pritshmërive dhe brenda normave ligjore. Një rishikim i Universitetit të Ponzam në Poloni ka analizuar sigurinë e tyre dhe fuqinë e vërtetë ushqyese për të verifikuar karakteristikat që i atribuohen më shpesh.
Studimi ka vlerësuar si fuqinë antioksiduese dhe përmbajtjen e disa mineraleve që e ndikojnë këtë aktivitet (bakër, magnez, germanium), ashtu edhe sigurinë e shëndetit të konsumatorit bazuar në praninë e metaleve kontaminuese toksike (kadmium, nikel, plumb) dhe të disa markerave për praninë e baktereve të tilla si ergosterolet dhe disa mykotoksinave (aflatoksina B1, B2, G1 e G2, okratoksina A), përbërësit e të cilave duhet të rregullohen me ligj duke qenë metabolite të klasifikuara si kancerogjene. Rezultatet e studimit japin garanci. Gjurmët e mineraleve kontaminuese të kampioneve të analizuara janë në vlera të pranueshme për konsumin ushqimor, njësoj si përmbajtja e mykotoksinave. Në anën tjetër, fuqia antioksiduese është treguar e qëndrueshme, madje edhe më e lartë se varietetet e tjera të thata që konsumohen zakonisht. Në fakt zotërojnë një sërë cilësish biologjike si aktivitetin anti-plakje, imunomodulimin dhe stimulimin e metabolizmit. Janë burim i mirë polisakaridesh, i vitaminave C dhe B, aminoacideve duke përfshirë disa esenciale, i polifenoleve (katekina) dhe acideve organike. Gjithashtu përmbajnë gjurmë zinku, hekuri, bakri, kalciumi dhe seleni.
Francesca De Vechi
Eksperte në shkencat dhe teknologjitë ushqimore