dhj182018
Nuk është mungesa e glutenit, por lloji i fibrave, ai që përcakton efektin e dietës
Një dietë e varfër në gluten, por e pasur me fibra do të ishte në gjendje të shkaktonte ndryshime në mikrobiomën intestinale dhe të reduktonte shqetësime të tilla si fryrja abdominale, duke favorizuar edhe një humbje modeste në peshë, sipas një studimi të publikuar në "Nature Communications".
"Një numër në rritje individësh zgjedhin një dietë me përmbajtje të ulët gluteni, edhe pse nuk kanë alergji ndaj kësaj substance. Kjo tendencë ka nxitur një debat mbi faktin nëse janë të rekomandueshme dietat me përmbajtje të ulët gluteni për personat pa alergji dhe për pasojë, ne kemi dashur të thellohemi në këtë argument", shpjegon Oluf Pedersen, nga Universiteti i Kopenhagenit, autor kryesor i studimit.
Kërkuesit kanë studiuar 60 të rritur danezë të shëndetshëm të një grupmoshe mesatare, duke krahasuar dy ndërhyrje prej tetë javësh, një me dietë me përmbajtje të ulët gluteni (2 gr gluten në ditë) dhe një me dietë me përmbajtje të lartë gluteni (18 gr gluten në ditë), pas një periudhe "shpëlarjeje" prej të paktën gjashtë javësh me një dietë të zakonshme (12 gr gluten në ditë). Të dyja dietat kishin të njëjtën sasi kalorish dhe nutrientësh e ofronin të njëjtën sasi fibrash ushqimore, ndërkohë që përmbajtja e fibrave ishte shumë e ndryshme.
Kërkuesit, në bazë të modeleve të fermentimit të ushqimit me ndërhyrjen e baktereve intestinale, kanë arritur në përfundimin se efektet e dietës me përmbajtje të ulët gluteni te personat e shëndetshëm mund të mos kenë shkak reduktimin e konsumit të vetë glutenit, por ndryshimin në përbërjen e fibrave bimore, orizit integral, misrit, tërshërës dhe kinoas që konsumohet.
"Do të jenë të nevojshme me siguri studime të tjera afatgjata përpara se të jepen këshilla për popullsinë e përgjithshme, në veçanti sepse kemi parë që fibrat ushqimore dhe jo thjesht mungesa e glutenit, janë arsyeja kryesore e ndryshimeve në shqetësimet intestinale dhe në peshën trupore", konfirmojnë autorët.
Ushqimi pa gluten mund të mos jetë domosdoshmërisht një zgjedhje e shëndetshme për njerëzit e shëndetshëm, sepse shumë ushqime të këtij lloji, të pranishme në treg, janë pa fibra ushqimore dhe pa përbërës nutricionalë natyralë, ndaj kërkuesit nënvizojnë nevojën për ushqime pa gluten, por të pasura me fibra dhe me cilësi të lartë, të freskët ose minimalisht të përpunuar, për konsumatorët që preferojnë një dietë me përmbajtje të ulët gluteni.
Nat Commun. 2018. doi: 10.1038/s41467-018-07019-x
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30425247