pri82019
Në sklerozën e shumëfishtë, kakaoja redukton ndjesinë e lodhjes
Sipas rezultateve të një studimi të vogël të botuar në "Journal of Neurosurgery Neurosurgery & Psychiatry", kakaoja mund të reduktojë lodhjen që lidhet zakonisht me sklerozën e shumëfishtë (SM).
"Shkaqet e lodhjes mendore dhe fizike të përjetuara nga njerëzit me SM janë komplekse dhe mund të përfshijnë faktorë nervorë, inflamatorë, metabolikë dhe psikologjikë. Asnjë nga qasjet aktualisht në dispozicion nuk ofron lehtësim të saj në terma afatgjatë. Megjithatë, hulumtimet e mëparshme sugjerojnë se çokollata e errët, që në përmbajtje ka 70% - 85% kakao, e pasur me flavonoide, ka sjellë një përmirësim të lodhjes subjektive te njerëzit me sindromën e lodhjes kronike. Kjo është arsyeja pse ne donim të shqyrtonim potencialin e kakaos në luftën kundër lodhjes, që është e lidhur me sklerozën e shumëfishtë", shpjegon Shelly Coe (Universiteti i Oksfordit), autore kryesore e studimit.
Hulumtuesit kanë përzgjedhur në mënyrë rastësore 40 të rritur të diagnostikuar së fundi me SM recidivuese dhe lodhje, për të pirë një filxhan me kakao pluhur me përmbajtje të lartë flavonoidesh, të përzier me qumësht orizi të ngrohtë ose një zëvendësues me përmbajtje të ulët flavonoidesh, çdo ditë, për gjashtë javë. Lodhja u vlerësua para fillimit, në mes dhe në fund të studimit. Pjesëmarrësit vlerësuan gjithashtu lodhjen e tyre në një shkallë nga 1 deri në 10, në orare të ndryshme të ditës dhe monitoruan aktivitetin e tyre me një matës hapash.
Kështu, pas gjashtë javësh, u vërejt një përmirësim i vogël i lodhjes te 11 njerëz që kishin pirë kakao me përmbajtje të lartë flavonoidesh, krahasuar me tetë nga ata që kishin konsumuar versionin me përmbajtje të ulët flavonoidesh. Është arritur edhe një efekt i moderuar mbi tendencën për lodhje, pasi njerëzit në grupin e kakaos me përmbajtje të lartë flavonoidesh, kanë qenë në gjendje të përshkonin distanca më të mëdha gjatë një prove të ecjes prej gjashtë minutash. Edhe pse nuk janë matur objektivisht, edhe simptomat e dhimbjes janë përmirësuar më shumë në grupin e kakaos me përmbajtje të lartë flavonoidesh.
Në një editorial shoqërues, Paolo Ragonese (Universiteti i Palermos) thekson se trajtimi dhe menaxhimi i lodhjes së lidhur me sklerozën e shumëfishtë, paraqesin ende një sfidë, sepse mekanizmat e këtij problemi janë multifaktorialë. Ideja e kakaos në dietë, megjithatë, shihet me sy pozitiv nga editorialisti, vetëm për shkak se dietat e pasura me flavonoide lidhen me një jetë më të gjatë dhe me rrezik më të ulët për sëmundje kardiovaskulare, si dhe me ndryshime pozitive në shumëllojshmërinë e baktereve intestinale.
J Neurol Neurosurg Psychiatry. 2019. doi: 10.1136/jnnp-2018-319496
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30833449
J Neurol Neurosurg Psychiatry. 2019. doi: 10.1136/jnnp-2018-319926
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30833450