pri162019
Të njëjtat substanca mund të kenë efekte të ndryshme, nëse merren nëpërmjet ushqimit apo integratorëve
Marrja në mënyrën e duhur e disa ushqyesve është e lidhur me një reduktim të vdekshmërisë për të gjitha shkaqet, por vetëm kur burimi i këtyre ushqyesve është ushqimi, sipas një studimi të publikuar në "Annals of Internal Medicine".
"Është e rëndësishme të kuptohet roli i çdo substance ushqyese dhe se burimi i saj mund të luajë rol mbi shëndetin, në veçanti nëse efekti nuk është pozitiv", shpjegon Fang Fang Zhang (Universiteti Tufts), autor kryesor i studimit. Kërkuesit kanë analizuar një kampion përfaqësues në nivel kombëtar, të përbërë nga më shumë se 27.000 të rritur amerikanë mbi 20 vjeç, për të kuptuar më mirë marrëdhënien që ekziston mes përdorimit të integratorëve ushqimorë dhe vdekshmërisë për të gjitha shkaqet, vdekshmërisë për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekshmërisë për shkak të kancerit. Në veçanti është vlerësuar nëse marrja e ushqyesve, në sasinë e duhur apo me tepri, është e lidhur me vdekshmërinë dhe nëse fakti i marrjes së substancave nëpërmjet ushqimit apo integratorëve sjell ndonjë ndryshim.
Kështu, të dhënat kanë treguar se marrja siç duhet e vitaminës K dhe e magnezit është e lidhur me një rrezik më të ulët për vdekje nga të gjitha shkaqet, marrja siç duhet e vitaminës A, vitaminës K dhe e zinkut, me një risk më të vogël për sëmundje kardiovaskulare dhe marrja me tepri e kalciumit (të paktën 1.000 mg/die) me një risk më të lartë për vdekje për shkak të kancerit. Kur janë vlerësuar burimet e marrjes së nutrientëve, ekspertët kanë zbuluar se reduktimet e vdekshmërisë për sa më sipër, janë kufizuar në rastet në të cilat substancat ushqyese rridhnin drejtpërdrejt nga ushqimet dhe jo nga integratorët.
Gjithashtu, shtimi i rrezikut të vdekjes për shkak të marrjes së tepruar të kalciumit ka qenë e vlefshme vetëm nëse substanca merrej nëpërmjet integratorëve dhe jo nga ushqimet. Sipas ekspertëve, integratorët ushqimorë nuk kanë asnjë efekt në rrezikun për vdekje tek individët me konsumim të ulët të substancave ushqyese, ndërsa përdorimi i integratorëve të vitaminës D tek individët pa mungesa të substancave të tilla, mund të jetë i lidhur me një shtim të rrezikut për të gjitha shkaqet, përfshi kancerin.
Autorët konfirmojnë se do të jenë të nevojshme kërkime të mëtejshme në këtë fushë dhe nënvizojnë se studimi ka patur disa kufizime, mes të cilave qëndron edhe marzhi i gabimit, për shkak të vetë raportimit nga ana e pacientëve.
Ann Intern Med. 2019. Doi: 10.7326/M18-2478
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30959527