Ushqyerje

sht162019

Shega. Fruta që u vjen në ndihmë prostatës dhe vezoreve

Punica granatum është emri shkencor i një peme me origjinë persiane, që u importua në Itali në kohën romake gjatë luftërave punike (nga e cila vjen dhe emri i gjinisë): shegë. Bima e njohur që nga kohërat e lashta, është shumë e pranishme në traditën edhe simbolike të popullsive të pellgut të Mesdheut dhe më gjerë. Disa studiues të teologjisë hebraike kanë supozuar se fruta e Pemës së Jetës në Kopshtin e Edenit, në të vërtetë, ishte shegë.

 

       Ç'thuhet për shegën në mitologji

Një legjendë tregon se Zeusi ishte i dashuruar me Cybelen dhe u përpoq, më kot, të bashkohej me perëndeshën. Në një natë makthesh të trishtuara, ndërsa Zeusi e ëndërronte fort, fara e tij ra mbi gur dhe krijoi hermafroditin Agdistis. Ky ishte i lig e i dhunshëm dhe me prepotencën e tij të vazhdueshme, zemëroi të gjitha perënditë. Dionisi, duke dashur të hakmerrej, bëri një plan mizor: i solli dhuratë verë dhe e shoqëroi për të pirë në majë të një peme të madhe shege, derisa Agdistisin e dehur e zuri gjumi mbi degë. Me një rrip, Dionisi i lidhi organet e tij gjenitale në degë dhe, pasi zbriti në tokë, e tundi pemën me gjithë forcën e tij. Nga zgjimi i vrazhdë, i pafati ra, duke shqyer organet e tij gjenitale. Kështu, Agdistisi u gjakos për vdekje, ndërsa gjaku i tij lau shegën dhe e bëri të lulëzonte përsëri, plot fruta me lëng. Në botën arabe, lëkura e frutave përdorej për të përftuar një tonalitet të verdhë, që është përdorur zakonisht në sixhadet arabe.

 

       Shumë përfitime shëndetësore nga acidi elagjik

Nga kjo njohuri mijëvjeçare mbi bimën, rrjedh përdorimi i saj tradicional, i braktisur tani. Në papirusin Ebers (1500 para Krishtit), lëvorja e rrënjës përmendet për vetitë e saj anthelmintike, që në veçanti, u zbuluan më vonë, kundër shiritit. Në fakt, përbërësi i saj, pelletierina, ka një efekt paralizues ndaj parazitit dhe, në doza të larta, mund të jetë vermicid. Sidoqoftë, ky përdorim u braktis për shkak të efekteve toksike që lidhen me fraksionin e zhytur në nivel intestinal. Lëkura e frutave, nga ana tjetër, është shumë e pasur me taninë (deri në 28%). Me anë të hidrolizës së këtyre taninave, bima prodhon gjithashtu sasi të konsiderueshme të acidit elagjik. Specia ka kultivarë të shumtë.

Aktualisht kërkimi shkencor është shpërndarë në fusha të ndryshme për të kuptuar se si të përdoret më së miri ekstrakti i kësaj frute. Një nga këto fusha, është aparati gjenital, ai mashkullor dhe femëror. Te gratë, një artikull i fundit ka vlerësuar efektet e marrjes së 2 litrave lëng shege në javë nga pacientet me sindromën e vezores policistike (PCOS). Te pacientet e trajtuara është vënë re një ulje e rezistencës ndaj insulinës dhe insulinemisë, me ulje të njëkohshme të BMI-së, peshës dhe perimetrit të belit. Për më tepër, nivelet e testosteronit në gjakun e pacienteve kanë rënë. Meqenëse PCOS shpesh mbështetet nga ndryshimet në sistemin insulinik, autorët e këtij studimi të vogël sugjerojnë (pas konfirmimeve të mëtejshme) një përdorim të mundshëm të lëngut të shegës për këtë sindromë.

Më i përfolur është përdorimi i shegës për të luftuar disa çrregullime të sistemit gjenital mashkullor. Për shkak të vetive të tij antioksiduese, studime të shumta kanë vlerësuar efektin e lëngut të shegës në uljen e niveleve të PSA-së. Sidoqoftë, rezultatet e studimeve, aktualisht, nuk lejojnë nxjerrjen e përfundimeve vendimtare në lidhje me këtë. Një gjendje tjetër ku në vend të kësaj disa studime të vogla duket se sugjerojnë një përdorim interesant, është trajtimi si terapi plotësuese, për kolit ulceroz. Në fakt, marrja në masën 6g/ditë e një ekstrakti të lëvores së shegës ka çuar në përmirësim të dukshëm klinik te pacientët, edhe pse nevojiten studime të mëtejshme për ta konfirmuar këtë përdorim. Efektet anësore që mund të vijnë nga marrja e dozave të tepërta të shegës janë: dhimbje koke, marramendje dhe përgjumje. Sidomos, në rastin e përdorimit të lëkurës së vjetruar të rrënjëve.


Luca Guizzon, ekspert në fitoterapi

Burimet:
Nutr Metab Cardiovasc Dis. 2019 Feb;29(2):201-208. doi: 10.1016/j.numecd.2018.07.002. Epub 2018 Jul 17.
Prostate Cancer Prostatic Dis. 2015 Sep;18(3):242-8. doi: 10.1038/pcan.2015.32. Epub 2015 Jul14.
Complement Ther Clin Pract. 2015 Aug;21(3):141-6. doi: 10.1016/j.ctcp.2015.03.001. Epub 2015 Apr 1.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC