tet302019
Frutat e detit në shtatzëni, përmirësojnë përqendrimin te fëmijët
Një dietë e pasur me fruta deti në shtatzëninë e hershme shoqërohet me një përmirësim të vëmendjes te fëmijët. Këto janë, të paktën, rezultatet e një studimi në "International Journal of Epidemiology", të nënshkruar nga një ekip shkencëtarësh të Institutit për Shëndetin Global në Barcelonë (ISGlobal).
"Qëllimi ishte të studionim lidhjen midis konsumimit të llojeve të ndryshme të frutave të detit gjatë shtatzënisë dhe vëmendjes te fëmijët e moshës tetë vjeçare", shkruajnë autorët, që kanë ndjekur 1.641 çifte nënë-fëmijë të Projektit INMA Mjedisi dhe Fëmijëria, një studim në grup mbi rolin e ndotësve gjatë shtatzënisë dhe efektin e tyre te fëmijët. Gjatë shtatzënisë, nënat plotësuan pyetësorë të shumtë mbi ushqimet e përdorura, të cilat kanë dhënë mundësi për vlerësimin e frekuencës me të cilën u konsumuan më shumë se njëqind ushqime të ndryshme, përfshirë këtu edhe lloje të ndryshme të frutave të detit.
Të dhënat për zakonet dietike të fëmijëve u mblodhën gjithashtu duke përdorur të njëjtët pyetësorë në moshën një, pesë dhe tetë vjeç. Më në fund, në moshën tetë vjeçare, fëmijët përfunduan gjithashtu "Attention Netvvork Task" (ANT), një test neuropsikologjik të kompjuterizuar, i modeluar për të vlerësuar funksionin e vëmendjes.
"Konsumi i frutave të detit në tremujorin e parë të shtatzënisë ka efekt më të madh në kohëzgjatjen e vëmendjes së fëmijëve në krahasim me konsumin në shtatzëninë e vonë ose në moshën pesë vjeçare, kur proceset e ndryshme neurozhvillimore tashmë kanë përfunduar", komenton Jordi Júlvez, programi "Childhood & Environment" pranë ISGlobal, duke shpjeguar se zhvillimi i trurit ndodh kryesisht gjatë shtatzënisë përmes formimit të neuroneve, sinaptogjenezës dhe mielinizacionit.
Dhe, nutrientët kryesorë, si acidet yndyrore të pangopura (PUFA) luajnë rol jetësor në këto procese. "Acidi Docosahexaenoic (DHA) dhe acidi eikosapentaenoik (EPA) janë PUFA-t kryesore omega-3 të përfshira në zhvillimin neurologjik dhe peshku është burimi kryesor i të dyve", shton Júlvezi. Sidoqoftë, përkundër rezultateve premtuese të këtij studimi, nevojiten hulumtime të mëtejshme në lidhje me këtë temë për të përcaktuar saktësisht se cilat specie peshqish dhe cilat sasi mund të jenë të dobishme për zhvillimin e fetusit.
International Journal of Epidemiology, dyz197, Published: 02 October 2019 doi: 10.1093/ije/dyz197
https://academic.oup.com/ije/advance-article-abstract/doi/10.1093/ije/dyz197/5579829