kor212020
Lidhje e mundshme direkte midis proteinave shtazore dhe plakjes së arterieve. Studimi
Një përbërës i prodhuar në zorrë kur konsumohet mish i kuq, dëmton arteriet dhe mund të luajë kryesor në rritjen e rrezikut për sëmundje kardiake gjatë plakjes, sipas një studimi të publikuar në "Hypertension". "Puna jonë tregon për herë të parë se kjo përbërje jo vetëm që ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e arterieve, por mund të ndihmojë edhe në shpjegimin e dëmtimit të sistemit kardiovaskular, që ndodh natyrshëm me kalimin e moshës", shpjegon Vienna Brunt (Universiteti i Kolorados Boulder), autore kryesore.
Kur konsumohet mish i kuq ose vezë, për shembull, bakteret e zorrëve nisin të punojnë menjëherë për të shpërbërë proteinat, por ndërsa metabolizojnë aminoacidet L-carnitine dhe choline, ato krijojnë një nënprodukt, trimethylamine, të cilin mëlçia e konverton në trimethylamine-N-oksid (TMAO) dhe e vendos në rrjedhën e gjakut. Studimet e mëparshme kanë treguar se njerëzit me nivele më të larta të TMAO-s në gjak, kanë më shumë se dy herë të ngjarë të pësojnë infarkt apo iktus dhe kanë tendencë të vdesin më shpejt. Për të kuptuar më mirë rolin e TMAO-s, studiuesit vlerësuan cilësinë e gjakut dhe të arterieve te 101 të moshuar e 22 të rritur dhe zbuluan se nivelet e TMAO-s rriten ndjeshëm me moshën, në përputhje me një studim të mëparshëm mbi minjtë.
Të rriturit me nivele më të larta të TMAO-s në gjak shfaqën një funksion arterial konsiderueshëm më të dobët dhe më shumë shenja të stresit oksidativ dhe dëmtimit të indeve të veshjes së enëve të gjakut. Më tej, autorët e administruan TMAO-n direkt te minjtë e rinj dhe vëzhguan se enët e tyre të gjakut u plakën aq shpejt, sa minjtë 12 muajsh (rreth 35 vjeç te njeriu) dukeshin më të vjetër se minjtë 27 muajsh (80 vjeç, te njeriu), pasi u ishte administruar TMAO për disa muaj. Të dhënat paraprake tregojnë gjithashtu se minjtë me nivele më të larta të TMAO-s kishin rënie në të mësuar dhe në kujtesë, duke sugjeruar që kompleksi mund të luante gjithashtu një rol në rënien konjitive të lidhur me moshën. Minjtë e vjetër që morën një përbërje të quajtur dimetil butanol, gjurmët e së cilës janë të pranishme në vajin e ullirit, uthullën dhe verën e kuqe, treguan, përkundrazi, një përmirësim në shëndetin vaskular. Shkencëtarët besojnë se kjo përbërje parandalon prodhimin e TMAO-s dhe tani po kërkojnë një dietë dhe integratorë që mund të reduktojnë dëmet e shkaktuara prej tij.
Hypertension 2020. Doi: 10.1161/HYPERTENSIONAHA.120.14759
https://dx.doi.org/10.1161/HYPERTENSIONAHA.120.14759