tet202021
Mirëqenia mendore dhe ushqyerja te fëmijët. Si të ushqehen më mirë, për t'u ndier më mirë
Për të optimizuar mirëqenien mendore të fëmijëve, strategjitë e shëndetit publik dhe politikat e shkollës duhet të sigurojnë ushqyerje cilësore për të gjithë, si para shkollës, ashtu edhe gjatë aktivitetit shkollor. Ky është përfundimi i një studimi që u botua në BMJ Nutrition, Prevention & Health, në të cilin u gjet një lidhje mes konsumit më të madh të frutave dhe perimeve dhe mirëqenies më të mirë mendore te nxënësit e shkollave 9-vjeçare.
Analizat kanë zbuluar edhe një lidhje mes llojit të mëngjesit dhe drekës dhe mirëqenies mendore, këtë herë si te nxënësit e shkollave 9-vjeçare, ashtu edhe tek ata të shkollës fillore. Studiuesit, të udhëhequr nga Ailsa Welch (Universiteti i Anglisë Lindore dhe Shkollës Mjekësore Norwich), përdorën Norfolk Children and Young People Health and Wellbeing Survey, një pyetësor që u është ofruar shkollave në Norfolk në vitin 2017 dhe që përfshin si masat e mirëqenies mendore, të vërtetuara dhe të përshtatura sipas moshës, ashtu edhe informacionet mbi konsumin e frutave dhe perimeve dhe llojin e mëngjesit dhe drekës, por edhe faktorët e tjerë, përfshirë përdorimin e alkoolit dhe dhunën në shtëpi.
Janë analizuar të dhënat nga mbi 50 shkolla, për gjithsej 7,570 fëmijë të shkollave 9-vjeçare dhe 1,253 fëmijë të shkollës fillore. Kështu, te nxënësit e shkollave 9-vjeçare që nuk hanin fruta dhe perime, konsumimi i një ose më shumë porcioneve në ditë lidhej me një mirëqenie më të lartë, me një tendencë që ishte në proporcion me sasinë e racioneve të konsumuara. Krahasuar me një mëngjes konvencional anglez që përmban tost, hashure, drithëra, kos dhe fruta, ngrënia e një ushqimi të lehtë ose shufre me drithëra u shoqërua me një rezultat më të ulët prej 1.15. Duhet të theksohet se konsumi i një pije energjike u shoqërua me një rezultat më të ulët prej 3.14 njësish, të krahasueshme me atë të fëmijëve që nuk hanë mëngjes. Në mënyrë të ngjashme, fëmijët që nuk hëngrën drekë patën një rezultat me 2.95 njësi më pak sesa ata që hëngrën drekë të paketuar. Lidhja midis llojit të mëngjesit ose drekës dhe shkallës së mirëqenies u gjet gjithashtu te nxënësit e shkollave fillore: "Rëndësia e ushqyerjes cilësore për rritjen dhe zhvillimin fëminor është vërtetuar mirë. Studimi ynë shton të dhënat mbi ndikimin që ka ushqyerja në mirëqenien mendore të fëmijëve. Si një faktor potencialisht i modifikueshëm, në nivel individual dhe shoqëror, ushqimi mund të përfaqësojë një qëllim të rëndësishëm të shëndetit publik", shkruajnë Welchi dhe kolegët.
BMJ Nutrition, Prevention & Health 2021. Doi: 10.1136/bmjnph-2020-000205.
https://doi.org/10.1136/bmjnph-2020-000205