gus142024
Helmimet ushqimore. EFSA: vibrionet në frutat e detit dhe rreziqet për shëndetin
Gjatë viteve të fundit, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe sidomos gjatë periudhës së verës, për shkak të konsumit të madh të molusqeve krudo, është rritur në mënyrë eksponenciale një nga kërcënimet që ka të bëjë me bakteret e gjinisë Vibrio. Vibrionet janë baktere që prodhojnë një enterotoksinë që vepron në qelizat e mukozave intestinale dhe është kryesisht përgjegjëse për gastroenteritet. Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) ka tërhequr vëmendjen mbi speciet e Vibrios, me rëndësi më të madhe për shëndetin publik në BE përmes konsumit të frutave të detit krudo apo të gatuara pak, si: Vibrio parahaemolyticus, Vibrio vulnificus dhe Vibrio cholerae jo-01/jo-0139.
Speciet më të përhapura: molusqet më të rrezikshme
Vibrio parahaemolyticus, lidhet me hemolizinat termostabile TDH dhe TRH dhe shkakton gastroenterit akut. Infeksioni manifestohet me simptoma gastrointestinale të forta, të cilat edhe pse rrallë, mund të shkaktojnë komplikacione të rënda. Ky bakter është i pranishëm në pothuajse 20% të kampioneve të analizuara të frutave të detit dhe një kampion nga pesë përmban shtame patogjenike.
Akoma më shqetësues është Vibrio vulnificus, i cili mund të shkaktojë infeksione që nxisin sepsis dhe vdekje tek individët e ndjeshëm, siç janë ata me sistem imunitar të dobët. Prevalenca e këtij bakteri në frutat e detit është vlerësuar afro 6%, një e dhënë që kërkon vëmendje të veçantë, sidomos për konsumuesit e midhjeve dhe të oktapodit krudo.
Nga ana tjetër, Vibrio cholerae jo-01/jo-0139, edhe pse është më pak i njohur, mund të shkaktojë gastroenterite të lehta dhe në disa raste, infeksione të rënda, si sepsis. Ky bakter u zbulua në 4% të kampioneve të frutave të detit, duke treguar nevojën për parandalim dhe kontrolle të mëtejshme.
Temperatura e kripa e detit dhe antibiotiko-rezistenca
EFSA thekson se kushtet mjedisore luajnë rol thelbësor në përhapjen e këtyre baktereve. Temperaturat e larta dhe nivelet e ulëta të kripës favorizojnë rritjen e tyre, një fenomen që mund të shtohet me ngrohjen e bregut dhe ngjarjet meteorologjike ekstreme të parashikuara për vitet e ardhshme. Kjo e bën këtë çështje edhe më urgjente, duke marrë parasysh rritjen e temperaturave globale dhe luhatjet klimatike.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm lidhet me rezistencën antimikrobike. Shtame të shumta të Vibrios, të izoluara nga frutat e detit, ose nga infeksionet ushqimore në Evropë kanë shfaqur një spektër të gjerë rezistencash, disa prej të cilave të brendshme. Gjenet përgjegjëse për rezistencën ndaj barnave me rëndësi të madhe mjekësore, shpesh të lidhura me elemente gjenetike të lëvizshme, zbulohen gjithnjë e më shumë në Vibrio. Ky evolucion paraqet një sfidë të rëndësishme për trajtimin e infeksioneve dhe kërkon mbikëqyrje dhe studime të vazhdueshme.
Reduktimi i rreziqeve: trajtimet e frutave të detit
Me qëllim reduktimin e rreziqeve të lidhura me këto patogjene, u propozuan disa metoda trajtimi të frutave të detit. Përpunimi me presion të lartë, rrezatimi dhe pastrimi janë shfaqur efektive në reduktimin e niveleve të specieve Vibrio. Megjithatë, masa më e thjeshtë dhe ndoshta më efektive, mbetet ruajtja e zinxhirit të ftohtë, thelbësor për parandalimin e përhapjes së baktereve gjatë transportit dhe ruajtja e produkteve të peshkut.
Sipas EFSA, autoritetet shëndetësore evropiane kanë filluar tashmë vlerësimet e rrezikut për V. parahaemolyticus në lloje të ndryshme ushqimesh deti dhe V. vulnificus në midhjet dhe oktapodin krudio. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë. Një vlerësim sasior mikrobiologjik i rrezikut për V. parahaemolyticus në molusqet dyguaskore, si midhjet, mund të sigurojë informacione të vlefshme për miratimin e masave efektive zbutëse, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve klimatike.