Ushqyerje

jan102025

Sëmundjet inflamatore intestinale. Roli i dietës mesdhetare

Një studim i botuar në Nutrients ka arritur në përfundimin se disa lëndë ushqyese specifike që gjenden në dietën mesdhetare kanë efekte pozitive si në mikrobiomën intestinale ashtu edhe në menaxhimin e sëmundjeve inflamatore intestinale (IBD).

Studiuesit kanë zbuluar aderimi ndaj një diete mesdhetare lidhet me një rrezik më të ulët për zhvillimin e sëmundjeve kronike si IBD-ja, dhe se proteinat bimore, acidet yndyrore omega-3, polifenolet, kitina, resveratroli dhe fruktooligosakaridet (FOS) mund të mbështesin këto përfitime.

Sëmundjet inflamatore intestinale, duke përfshirë sëmundjen e Crohn-it dhe kolitin ulceroz, karakterizohen nga funksioni i dëmtuar i barrierës së intestinit dhe inflamacioni kronik, me simptoma të tilla si dhimbje barku, rënie në peshë dhe diarre.

Mikrobiota intestinale, një grup kompleks mikroorganizmash që kolonizojnë zorrën e njeriut, luan një rol kyç në zhvillimin dhe përparimin e IBD-së. Disbioza ose ndryshimet në përbërjen mikrobike mund ta përkeqësojnë inflamacionin e intetstinit.

Dieta përfaqëson një strategji premtuese për të moduluar mikrobiotën intestinale dhe për të menaxhuar IBD-në. Në veçanti, dieta mesdhetare, e pasur me vaj ulliri, arra, bishtajore, drithëra, perime, fruta dhe me pak yndyra shtazore dhe ushqime të përpunuara, ka treguar se ka ndikim pozitiv në shëndetin e zorrëve.

Kjo dietë promovon bakteret e dobishme të intestinit që prodhojnë acide yndyrore me zinxhir të shkurtër (SCFAs), të cilat mbështesin një mjedis të shëndetshëm të zorrëve.

Karbohidratet, veçanërisht prebiotikët si inulina, β-glukanet dhe fruktooligosakaridet, nxisin rritjen e baktereve të dobishme që reduktojnë inflamacionin, si Bifidobacteria dhe Lactobacilli. Ato mund të reduktojnë simptomat e IBD-së duke përmirësuar përshkueshmërinë e zorrëve dhe përbërjen e mikrobiotës.

Komponime të tilla si kitozani dhe polifenolet (p.sh., nga boronicat) kanë treguar përfitime për shëndetin e zorrëve në modelet e kafshëve, por nevojiten studime njerëzore për të vlerësuar sigurinë dhe efikasitetin e tyre afatgjatë.

Proteinat bimore në dietën mesdhetare kanë efekte antiinflamatore, ndërsa proteinat shtazore, veçanërisht nga mishi i kuq dhe i përpunuar, kanë treguar se mund të përkeqësojnë simptomat e IBD-së.

Yndyrnat e pranishme në dietën mesdhetare, kryesisht të pangopurat, të tilla si ato të pranishme te në vaji i ullirit, kanë efekte mbrojtëse kundër inflamacionit dhe simptomave të IBD-së. Acidet yndyrore omega-3, të pranishme te peshqit dhe burimet bimore, kanë treguar veti antiinflamatore, edhe pse provat në mbështetje të tyre janë ende të paqarta.

Disa aminoacide, të tilla si triptofani, janë të lidhura me rregullimin e përgjigjes imune, duke ofruar njohuri premtuese në menaxhimin e IBD-së.

Kuercetina, e pranishme te frutat dhe perime si qepa, manaferrat dhe rrushi, ka efekte mbrojtëse kundër stresit oksidativ dhe inflamacionit. Mund të promovojë shëndetin intestinal duke rritur bakteret e dobishme dhe duke përmirësuar rigjenerimin e qelizave të zorrëve.

Kurkumina që gjendet te shafrani i Indisë dhe epigallocatechin-gallato (EGCG) te çaji jeshil gjithashtu kanë treguar rezultate premtuese në reduktimin e inflamacionit dhe stresit oksidativ.

Vitamina D, e rëndësishme për shëndetin e zorrëve, është shpesh në nivele të ulëta te pacientët me IBD, por mund të absorbohet më mirë përmes dietës mesdhetare.


Edhe pse, provat klinike janë të kufizuara, dieta mesdhetare mund të mbështesë trajtime inovative si transplantimi i mikrobiotës fekale. Megjithatë, aderimi i dietës mund të pengohet nga simptomat gastrointestinale dhe faktorët psikologjikë.

Ndërsa përbërësit individualë janë të dobishëm, kombinimi i lëndëve ushqyese të pranishme  në dietën mesdhetare mund të funksionojë në mënyrë sinergjike në mbështetje të shëndetit intestinal dhe për reduktimin e inflamacionit, veçanërisht në rastet e IBD-së. Hulumtimet e ardhshme duhet të fokusohen në strategjitë dietike të personalizuara, duke marrë parasysh mikrobiomën, faktorët gjenetikë dhe stilin e jetës së pacientëve, për të optimizuar trajtimet dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së subjekteve të prekur nga sëmundjea inflamatore intestinale.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC