Administrata e Barnave dhe Ushqimit në SHBA ka miratuar Ceftazidimën-avibactam në kombinim me Metronidazolin, një bar i ri antibakterial për trajtimin e të rriturve me infeksione të ndërlikuara intra-abdominale dhe të traktit urinar, mes të cilave ato të veshkave (pielonefriti). Ceftazidime-avibactam është një kombinim fiks që përmban ceftazidimë (një cefalosporinë tashmë e autorizuar) dhe avibactam, një inhibitor i ri i beta-lactamases."FDA është e angazhuar për të vënë në dispozicion terapi për trajtimin e pacientëve me nevoja mjekësore të paplotësuara", shprehet Edward Cox, drejtor i zyrës së produkteve anti-mikrobike. "Është e rëndësishme që përdorimi i këtij bari të rezervohet për situata ku ka pak opsione barnash antibakteriale alternative për trajtimin e infeksioneve të pacientit".
Ceftazidime-avibactam është bari i pestë antibakterial i miratuar për Qualified Infectious Disease Product (QIDP). Ky përcaktim i jepet produkteve anti-bakteriale për trajtimin e infeksioneve të rënda ose potencialisht fatale. Si pjesë e këtij përcaktimi, barit iu garantua një "procedurë revizionimi prioritare", që parashikon një ekzaminim të përshpejtuar në dosierin e autorizuar.
Efikasiteti i barit të ri është vendosur pjesërisht në bazë të rezultateve mbi sigurinë dhe efikasitetin e ceftazidimës për trajtimin e infeksioneve të ndërlikuara intra-abdominale dhe të traktit urinar. Kontributi i avibactamit është bazuar në të dhëna të ardhura nga studimi i infeksioneve in vitro dhe modelet e kafshëve. Ndërsa Ceftazidima-avibactam është ekzaminuar në dy studime klinike të fazës 2, për secilin nga tipet e infeksionit.
Efektet e padëshiruara më të zakonshme janë të përzierat, të vjellat, kapsllëku dhe ankthi. Operatorët shëndetësorë duhet të informojnë pacientët për këto risqe dhe të kenë parasysh se pakësimi i efikasitetit, konvulsionet dhe pasoja të tjera neurologjike janë vëzhguar te pacientët me insufiçencë renale. Reaksionet e rënda në lëkurë mund të verifikohen te pacientët alergjikë ndaj penicilinës./D.Gjuzi