pri232018
Hepatiti C. I disponueshëm bari i ri me tre përbërës aktivë
Bari i ri, që kombinon në një tabletë të vetme tre përbërës aktivë (sofosbuvir, velpatasvir dhe voxilaprevir) për pacientët që kanë dështuar në terapinë paraprake për hepatitin C, me bazë antiviralet direkte (DAA), do të jetë një shpresë e re për këta të sëmurë.
DAA-ja ka transformuar terapinë e hepatitit C. Falë efikasitetit të lartë, numri i pacientëve që ende nuk kanë arritur shërimin e plotë, është shumë i kufizuar. Për ta, janë ende të nevojshme barna të reja që ofrojnë mundësinë e çrrënjosjes së virusit nga trupi, duke e shëruar infeksionin një herë e mirë. Kombinimi me bazë sofosbuvirin, që sapo është miratuar, ka treguar se është efektiv pikërisht për këtë lloj pacientësh, duke plotësuar kështu një boshllëk të rëndësishëm terapeutik në trajtimin e infeksionit.
"Nga janari i vitit 2015 e deri më sot, në Itali janë trajtuar me barnat e reja antivirale (DAA), thuajse 130.000 pacientë me infeksion të HCV me një normë suksesi mbi 95%", thekson Massimo Andreoni, profesor i Sëmundjeve Infektive në Fakultetin e Mjekësisë dhe Kirurgjisë, Universiteti i Romës "Tor Vergata". "Nga rreth 5,000 pacientë të cilët dështuan në linjën e parë të trajtimit, një numër u trajtuan sërish dhe në disa raste me sukses, ndërsa në raste të tjera, për fat të keq, pati një dështim tjetër. Këta pacientë, shpesh me një hepatitit kronik të fazës së përparuar, kishin deri më sot pak ose aspak mundësi terapeutike efektive.
Përdorimi i kombinimit të trefishtë të Gilead-it, do të japë mundësi që me një regjim shumë të thjeshtë dhe me një tabletë të vetme, të trajtohet pjesa më e madhe e këtyre pacientëve, duke zgjidhur kështu, një emergjencë të vërtetë mjekësore".