tet162018
Sëmundjet infektive. CHMP-ja rekomandon një kombinim të ri antibiotik
Komiteti i Barnave për Përdorim Njerëzor (CHMP) i EMA-s ka rekomanduar dhënien e autorizimit për hedhjen në treg të barit Vabomere (meropenem triidrato/vaborbactam), një mundësi e re trajtimi kundër një sërë infeksionesh te të rriturit.
Bari është indikuar për infeksionet e mëposhtme: infeksion i ndërlikuar i traktit urinar, përfshi pielonefritin, infeksion intraabdominal i ndërlikuar, pneumoni e fituar nga spitali, duke përfshirë pneumoninë e lidhur me ventilatorin, bakteret në gjak, të lidhura me një nga infeksionet e sipërlistuara, infeksionet për shkak të organizmave aerobikë gramnegativë, me mundësi të kufizuara trajtimi.
Këtë e bën të ditur Agjencia Italiane e Barnave, që kujton se mungesa e barnave për trajtimin e pacientëve me infeksione të shkaktuara nga bakteret rezistente, është shndërruar në një problem të rëndësishëm vitet e fundit: "Vlerësohet se çdo vit, në Bashkimin Europian, vdesin së paku 25.000 pacientë për shkak të infeksioneve të shkaktuara nga bakteret rezistente". Vabomere, specifikon shënimi, është një kombinim i fiksuar i vaborbaktamit, një frenues i ri i beta-laktamazës dhe meropenemit, një antibiotik me spektër të gjerë, që i përket klasës së karbapenemeve, tashmë të miratuara për përdorim në BE. Administrimi bëhet nëpërmjet infuzionit.
Mendimi u miratua nga CHMP-ja në takimin e shtatorit dhe "paraqet një hap të ndërmjetëm në rrugën e Vabomeres drejt qasjes së pacientëve. Tani do t'i dërgohet Komisionit Evropian për miratimin e një vendimi mbi autorizimin për të hyrë treg në të gjithë Bashkimin Evropian. Pasi të miratohet, vendimet për çmimin dhe rimbursimin do të merren nga çdo shtet anëtar, duke marrë parasysh rolin/përdorimin e këtij ilaçi në kontekstin e sistemit shëndetësor kombëtar".