shk52019
Steatoza hepatike jo alkolike. Barnat e para vijnë brenda disa vjetësh
Pas disa vitesh ndoshta do të kemi në dispozicion një terapi farmakologjike që mund të ndalojë përparimin e steatozës hepatike jo alkolike (NASH), një gjendje shumë e përhapur, por ende pa një terapi efikase. Kjo është diskutuar në Milano, në një kongres të organizuar nga Gis-Nash, Grupi italian i studimit të NASH-it në sëmundjet infektive, nën patronazhin e Shoqërisë Italiane të Sëmundjeve Infektive (SIMIT).
"Barnat në eksperimentim", thotë presidenti i SIMIT Massimo Galli, "janë rreth dhjetë dhe nga këto, disa duhet të japin rezultate nga studimet e randomizuara të kontrolluara në periudhën 2019-2021". Bëhet fjalë për cenicriviroc, që thuhet se mund të ndalojë përparimin e NASH-it nëpërmjet inhibimit të receptorëve qelizorë të implikuar në rekrutimin e makrofagëve dhe në aktivizimin e qelizave në formë yjesh të mëlçisë dhe të selosertibit, inhibitori i një proteine të implikuar në inflamacionin dhe në induktimin e fibrozës.
"Por, terapia e steatohepatitit", konfirmon Galli, "konsiston në shmangien e tepricës kalorike, ushqimeve me yndyrë, alkoolit dhe ushtrimeve fizike dhe këtu nuk ka asgjë të re, por dihet që modifikimi i stileve të jetës është shumë i komplikuar". Pas suksesit të terapive kundër hepatitit C, ekspertët parashikojnë një reduktim të fortë të cirrozës hepatike, të tumoreve dhe të transplanteve të mëlçisë që lidhen me to, por do të mbeten ato që janë aktivizuar nga NASH-i, gjendje deri më tani të nëndiagnostikuara dhe që duken të destinuara për të marrë një vëmendje të veçantë nga ana e hepatologëve. "Diagnozat e përcaktuara me një ekografi të zakonshme janë shtuar", referon Galli, "dhe është rritur ndërgjegjësimi për një gjendje që mund të jetë shumë e rrezikshme".
Në fakt, sipas të dhënave të literaturës, rreth 30-40% e pacientëve me NAFL zhvillon një hepatit, me risk progresioni drejt fibrozës, rreth 40-50%. Galli në fund raporton një tipologji pacientësh numerikisht të vogël në krahasim me popullsinë e përgjithshme, por nga konotacionet e veçanta, atë të sieropozitivëve nga HIV-i: "Sot kemi 105 mijë vetë në trajtim antiretroviral dhe shumë prej tyre kanë pasur edhe një hepatit C, që me siguri e ka predispozuar mëlçinë e tyre ndaj NASH-it. Një tjetër bashkëfaktor është dhënë nga të njëjtat barna antiretrovirale, mbi të gjitha, ato që janë përdorur në të shkuarën, të cilat në ndonjë rast, kanë pasur ndikim në mëlçi. Është një popullsi pacientësh me të cilët duhet të punojmë shumë."