jan122018
Pisha dhe eukalipti, dy balsamikët dimërorë kundër sëmundjeve të stinës
Vajrat esenciale janë të njohura për vetitë e tyre shëndetësore dhe po ngjallin gjithnjë e më shumë interesin e kërkuesve shkencorë, si baktericidë dhe antiviralë. Ndoshta ka qenë kjo arsye e qartësuar tashmë nga kërkimet, ajo se pse është këshilluar gjithnjë në mënyrë empirike përdorimi i avullit me bazë vajrat esenciale, për të trajtuar gjendjet gripale.
Veçanërisht avulli është një metodë tradicionale dhe shumë efikase përkrah terapisë normale me barna për të trajtuar simptoma të tilla si: kolla me sekrecione, i ftohti dhe bllokimi i hundëve. Vajrat esenciale më të përdorura për këtë qëllim janë ato balsamike të pishës dhe të eukaliptit.
Pisha (Pinus sylvestris) është një bimë konifere që mund të arrijë lartësi deri në 20-30 metra. Në male gjenden specie të ndryshme dhe nuk është e rastësishme që mund t'i dallojmë llojet e tyre edhe thjesht nga aroma që lëshojnë. Vajrat esenciale të këtyre përmbajnë përbërës të tillë si: δ-3-carene, α-pinene e linalolol-acetat, β-fellandrene e β-pinene, limonene dhe (E)-caryophyllene. Edhe boçet përmbajnë 1-2% vaj esencial me pinene e limonene, ndërsa nga lëvorja merret një balsam i trashë e ngjitës, i quajtur terpentinë.
Në përgjithësi, vaji esencial merret nga gjethet në formë gjilpëre, nga majat e degëve dhe përmban rreth 80% hidrokarbure monoterpine, alpha-pinene e canfene (jo më pak se 4% e estereve të llogaritura si acid acetil.
Thithja e vajit esencial të pishës me inhalim është i dobishëm për hollimin e sekrecioneve të tepërta, ndërsa aplikimi lokal ndihmon në gjendjet reumatike. Të gjitha vajrat esenciale të llojeve të ndryshme të pishës, kanë të përbashkët efektin antiinflamator, me një reduktim prej mbi 60% të sekretimit të IL-6-ës (in vitro).
Por, pa dyshim që një nga mënyrat më të njohura të përdorimit të tij është ajo si ekspektorant. Sapo absorbohet qoftë nëpërmjet lëkurës, qoftë në rrugë orale ose me inhalim, ai sidoqoftë ekskretohet nga mushkëria. Kalimi nëpër rrugët e frymëmarrjes stimulon gjëndrat bronkiale dhe bllokon qelizat mukoze, duke zvogëluar tensionin sipërfaqësor të mukusit dhe duke përmirësuar aktivitetin mukociliar. Çështje thelbësore është gjithmonë dozimi, pasi në dozë të ulët stimulohet aktiviteti i gjëndrave bronkiale (mucotropike) dhe në doza të larta, ai pengohet.
Një tjetër bimë e vlerësuar për vetitë e saj balsamike është eukalipti. Mjafton të ecësh pranë një druri eukalipti, për t'u dehur nga aroma e vajit që përmbajnë gjethet e tij. Vaji esencial përbëhet nga monoterpenet (alfa e beta pinene, limonene dhe cymene), sesquiterpenet, aldeidet dhe ketonet (carvone, pinocarvone). 1.8-cineoli (eukaliptol) është i pranishëm në të në vlera jo më të pakëta se 70%.
1.8-cineoli ka veprim pozitiv antimukolitik dhe spazmolitik në aparatin e frymëmarrjes, të provuara nga studime të shumta shkencore. Në veçanti, efektet janë konsideruar tepër interesante për vetitë antiinflamatore të kësaj molekule në rastet me astmë dhe COPD. Gjithashtu, molekula ka rezultuar një antioksidante shumë më e fuqishme sesa një mukolitik i thjeshtë.
Gjithsesi, duhet patur kujdes në përdorimin e vajrave esenciale, mbi të gjitha kur flasim për fëmijët. Ndonëse shumë studime i shohin si një trajtim interesant për astmën dhe patologjitë e aparatit të frymëmarrjes, është e vërtetë gjithashtu se përdorimi i sasive të tepërta dhe pa kontroll mjekësor (të paktën për patologjitë më të rënda) mund të shkaktojë përkundrazi inflamimin e sistemit të frymëmarrjes, me raste të astmës dhe bronkospazma.
Këto vajra esenciale gjithashtu nuk duhen marrë nga goja në rast të vjellash e të përzierash, pasi mund të irritojnë më tej aparatin gastrointestinal dhe kanalet biliare.
Luca Guizzon
Farmacist ekspert në fitoterapi
Drug Res (Stuttg). 2014 Dec;64(12):638-46. doi: 10.1055/s-0034-1372609. Epub 2014 May 15