gus72019
Bajamet. Të gjitha vlerat nutricionale në kontekstin e dietës mesdhetare
Vitet e fundit, rëndësia e konsumimit të frutave me lëvozhgë, për shkak të vlerave nutricionale të larta, është konfirmuar në studime të shumta. Sipas literaturës së prezantuar, studime të shumta shkencore nxjerrin në pah vetitë e bajames në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, në menaxhimin e hiperkolesterolemisë, në reduktimin e peshës dhe falë ndjesisë së ngopjes, në kontrollin glicemik dhe parandalimin e diabetit të tipit 2.
"Bajamet kanë densitet të lartë nutricional", ka shpjeguar Morelli. "Duke qenë se kanë 603 kalori për 100 gr, janë natyrisht me përmbajtje të ulët sheqeri dhe natriumi. Ato nuk kanë kolesterol dhe kanë tregues të ulët glicemik". Bajamet janë burim natyral i proteinave bimore. "Ato përmbajnë 22 gramë proteina bimore për 100 gr dhe yndyrna të shëndetshme, gjë që i bën një vakt të ndërmjetmë të shkëlqyer për të përmirësuar nivelin e energjisë fizike dhe mendore."
Bajamet janë edhe një burim i pasur i magnezit (264 mg për 100gr), që kontribuon në reduktimin e lodhjes dhe këputjes. Janë të pasura me riboflavina (B2) dhe janë burim i niacinës (B3), tiaminës (B1) dhe folatit (B9), që luajnë rol në prodhimin e energjisë në trup.
"Këta fruta janë edhe një burim i rëndësishëm i kalciumit me origjinë bimore", thekson Morelli. Përveç të tjerave, nuk kanë gluten. Sasia e sugjeruar që të merren përfitimet, është rreth 28 gramë, që do të thotë, 23 bajame: 6 gr proteina, 13 gr yndyrna të ngopura, 4 gr fibra. "Këshilla që duhet dhënë është që të shtohen bajamet në vaktet kryesore, por akoma më mirë, që të konsumohen si vakt i ndërmjetmë, në mesditë ose pasdite", shpjegon Morelli. "Për shembull, për shkak të prakticitetit të tyre në përdorim dhe për shkak të proteinave, hekurit, magnezit dhe manganit që përmbajnë, ato janë ideale për t'u konsumuar përpara dhe pas aktivitetit sportiv."
Një aspekt i fundit interesant lidhet me faktin se bajamet janë të shijshme dhe kërcitëse, me një shije që anon nga e ëmbla. "Këto karakteristika dhe në veçanti, fakti që janë kërcitëse", thekson Morelli, "bëjnë që falë efektit që ka përtypja e vazhdueshme (crunch), konsumi i bajameve redukton dëshirën për të konsumuar ushqime të tjera me të njëjtin efekt, por më pak të shëndetshme".
Së fundmi, duhen mbajtur mend edhe kushtet në të cilat rriten bajamet. Bajamja është bimë me origjinë mesdhetare që ka nevojë për verë të thatë dhe të nxehtë e dimër të lagësht dhe të butë. Për këtë arsye, bajamet kanë gjetur një habitat të përshtatshëm në klimën e Kalifornisë dhe 80% e prodhimit botëror ditor të bajameve bëhet pikërisht në këtë zonë të Shteteve të Bashkuara, në krahasim me 8% që ka origjinë evropiane.