Fitoterapi

sht182020

Xhinsengu dhe efekti i tij kundër lodhjes. Një grup i tërë bimësh, me veti adaptogjene

Xhinseng (Ginseng) është emri i zakonshëm që përdoret për të identifikuar një grup bimësh me veti adaptogjene, së cilës i përkasin specie të shumta, çdonjëra me vetitë e veta. Në përgjithësi, këto bimë pakësojnë ndjesinë e lodhjes fizike dhe shtojnë performancën konjitive, por pa e ndryshuar homeostazën e trupit dhe pa efekt rikthimi kur është ndërprerë marrja e tyre.

 

Nuk mund të flasim vetëm për "xhinsengun". Ekzistojnë shumë specie me veti adaptogjene

Sidoqoftë, vetëm fjala "xhinseng" mund të jetë mashtruese, pasi ekzistojnë speciet kineze (Panax ginseng), vietnameze (Panax vietnamensis), koreane (Panax pseudoginseng), japoneze (Panax japonicus), por nuk mund të harrohet xhinsengu siberian (eleuterococcus senticosus), amerikan (panax quinquefolius), indian (witaniaus somnifera), peruan (Lepidium meynenii) brazilian (Pfaffia paniculata), deri edhe ai i Alaskës (echinopanax horridum). Siç mund të shihet nga emrat shkencorë, shumica e këtyre bimëve u përkasin gjinive dhe specieve të ndryshme. Prandaj është e arsyeshme të ndalemi gjithashtu te vetitë, të paktën mes njërës bimë dhe tjetrës.

 

Xhinsengu kinez: shumë avantazhe dhe disa efekte anësore jo të papërfillshme

Panax ginsengu është një bimë shumëvjeçare barishtore me rritje të ngadaltë, që i përket familjes Araliaceae. Emri rrjedh nga gjuha kineze "jen-cen", që do të thotë fjalë për fjalë "trupi i njeriut". Rrënja mishtore e xhinsengut, me pamje karakteristike antropomorfe, që nga kohërat antike na ka bërë të kuptojmë përfitimet e saj për shëndetin e përgjithshëm të njeriut.

Xhinsengu kinez përmban një grup saponinash triterpenike të quajtura ginsenosides (ose panaxosides) të cilat mund të ndahen në dy klasa: derivatet e protopanaxadiolit dhe protopanaxtriolit. Këto përbërje janë të dallueshme, me emërtimet: Rg1, Rc, Rb, etj. që bëjnë dallimin e efekteve të tyre: Rg1 rrit presionin dhe është stimulues i sistemit nervor qendror, ndërsa Rb1 është hipotensiv dhe relaksues. Përbërësit aktivë në rrënjën e bimës (që përmban edhe vetitë farmakologjike) ndryshojnë shumë si sipas moshës së vetë bimës, ashtu edhe sipas lartësisë së saj. Bimët me raportin më të mirë të ginsenosideve Rg1 (stimulues) dhe Rb1 (qetësues) janë 5-7-vjeçare dhe rriten rreth 2000-2500 metra. Në Panax ginseng dhe vetëm në këtë specie, ka gjithashtu polisakaride (pektina dhe glikane) dhe vaj esencial me alkoole sesquiterpene (pnansinsanol A dhe B dhe ginsenol).

 

Përpunimi i xhinsengut dhe vetitë e tij

Një aspekt tjetër që e dallon xhinsengun kinez nga gjithë të tjerët është përpunimi të cilit ai i nënshtrohet dhe që krijon dy lloje: xhinsengu i bardhë (rrënjë të lara, të qëruara, të zbardhura me dioksid squfuri dhe të thara) me përmbajtje ginsenozidesh prej 2-3%, ose xhinsengu i kuq (rrënjë të trajtuara me avull në 120-130° për 2 orë dhe më pas, të thara) me 1% përbërës aktivë. Këto ndryshime përkthehen edhe në përdorimin klinik të preparateve.
Vetëm xhinsengu i kuq ka treguar (në dozën 2g/ditë) përmirësim të mosfunksionimit të ereksionit mashkullor. Mekanizmi i veprimit të xhinsengut kundër lodhjes duket se i atribuohet shtimit të prodhimit të kortikosteroideve me veprim indirekt në boshtin hipotalamus-hipofizë: çlirimi i hormonit ACTH dhe stimulimi i gjëndrës mbiveshkore. Ndonëse është e vërtetë që marrja e 20mg/ditë ginsenoside mund të reduktojë lodhjen e shkaktuar nga kimioterapia, tregohuni të kujdesshëm në këtë drejtim, pasi xhinsengu pengon citokromin CYP3A4, duke ndryshuar biodisponueshmërinë e shumë agjentëve kimioterapeutikë.

Disa studime kanë treguar gjithashtu efekte pozitive në kujtesë, në aftësitë llogaritëse, në përqendrim, në performancën fizike dhe në ndjesinë e lodhjes, efekte që duket se janë pasojë e flavonoideve dhe saponinave triterpene që përmban ekstrakti. Për më tepër, polisaharidet që gjenden në rrënjën e xhinsengut e bëjnë atë të përshtatshëm për t'u përdorur si imunostimulues, ndërsa ginsengozidet, që ende nuk janë karakterizuar, kanë rritur ndjeshmërinë ndaj insulinës te pacientët me diabet të tipit 2, duke ulur nivelet e glukozës në gjak. Sidoqoftë, të gjitha këto veti, kanë edhe çmimin e tyre: xhinsengu mund të shkaktojë diarre, pagjumësi dhe skuqje të lëkurës. Hipertensioni, takikardia dhe nervozizmi ndodhin lehtësisht, veçanërisht kur administrohen së bashku me kafeinën dhe me substanca neurostimuluese. Terapia me barna antidepresive dhe xhinseng rrit rrezikun e shfaqjes së halucinacioneve, migrenës dhe psikozave maniake, ndërsa i administruar me varfarinën, ulet efekti antikoagulues i barit. Kundërindikohet në shtatzëni, laktacion, në periudhën para operacionit dhe në moshën pediatrike, si dhe në pacientë me psikozë, hipertension, hipertiroidizëm, mosfunksionim hormonal dhe me historik të një kanceri të varur nga estrogjeni.

 

Luca Guizzon, ekspert në fitoterapi

Burime:
"
Interazioni tra erbe, alimenti e farmaci", Fabio Firenzuoli
Dizionario di fitoterapia e piante medicinale, Enrica Campanini
Le 100 erbe della salute, Fabio Firenzuoli
Fitoterapia, Francesco Capasso
Asian J Androl. 2009 May;11(3):356-61. Doi: 10.1038/aja.2008.32
Integr Cancer Ther. 2015 Sep;14(5):419-27. Doi: 10.1177/1534735415580676
J Ethnopharmacol. 2015 Jan 15;159:55-61. Doi: 10.1016/j.jep.2014.10.057


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC